Komisioni ad hoc kërkon që të rishpallet konkursi për dy anëtarë të KPM-së

Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, njëri nga radhët e komunitetit shqiptar dhe tjetri nga komunitetet joshumicë, ka shqyrtuar listën e kandidatëve për këto dy pozita, në mbledhjen e mbajtur më 12.06.2024.

Ky komision i ka propozuar Kryesisë së Kuvendit rishpalljen e konkursit pasi nga 7 aplikuesit, vetëm 4 nga ta është thënë se i kanë plotësuar kriteret e nevojshme.

“Nuk mendoj që në raste të tilla duhet me iu jep mundësi tjetër [kandidatëve], sepse kanë pas kohë që të kompletojnë dokumentacionin. Nuk mendoj që duhet me iu jep kohë njerëzve të cilët kanë konkuruar- që për mua janë të papërgjegjshëm”- ka thënë deputeti Agim Veliu.

“Unë propozoj që me iu drejtu Kryesisë që me e shpall konkursinë, sepse sipas listës nuk janë 3 kandidatë që i kanë plotësur kriteret. Ajo çka është absurde është që sipas ligjit të ri qe po bëhet kërkohen 11 anëtarë e ne për dy nuk po mundemi me i zgjedh, nuk ka të interesuar”, ka theksuar Isak Shabani nga PDK.

“Edhe unë pajtohem”- ka thënë Valon Ramadani nga LVV.

“Ne si komision i sugjerojmë Kryesisë që të rishpall konkursin. Përmes Kryesisë së Kuvendit i përcjellet KPM-së që me e rishpall konkursin”- ka deklaruar Veliu.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. Me nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, KPM përcaktohet organ i pavarur.