Komisioni parlamentar vazhdon shqyrtimin e Projektligjit për KPM-në, mirëpret opinionin e KiE-së

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal po e shqyrton Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Kryetari i Komisionit, deputeti Valon Ramadani ka njoftuar se kjo mbledhje është vazhdimësi e mbledhjes së mbajtur më 26.04.2024 për shkak se e njëjta ishte ndërprerë për të pranuar me shkrim çështjet e ngritura nga ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin.

Ramadani tha se javën e kaluar ka pranuar opinionin ligjor të KiE-së, të cilin e ka shpërndarë te anëtarët e tjerë të komisionit.

“Falënderoj eksperten dhe të gjithë ata që janë angazhuar që të kemi opinion ligjor për ketë ligj. Kemi pas komente dhe analiza tjera. Kjo e ndihmon komisionin që çështjet që do të kalojnë në Projektligj e kanë edhe një filtër nga KiE, jashtë komenteve që kemi nga BE, Forumi për integritet, Zyrës ligjore të Kuvendit, KALLXO.com”- u shpeh ai, më 27.05.2024.

Gjatë kësaj mbledhje deputetët diskutuan edhe për nenet e Projektligjit për KPM-në për disa prej të cilave pati edhe kritika.

Deputeti nga PDK, Mergim Lushtaku ka përmendur nenin që ka të bëjë ndalimin e partive politike që të themelojnë media.

“Nuk kam pas mundësi me shiku tërësisht raportin e ekspertes, por nga disa diskutime që kemi pas, ka shumë argumente që ne duhet të kemi kujdes se si i transportojmë në Ligjin për KPM-së. Sidomos tek pjesa ndalimit te partive politike që të themelojnë televizione. Kjo në njëfarë forme e vret median e lirë”- u shpreh ai.

Lidhur me ketë, deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi tha se kjo çështje është mirë e rregulluar me Ligjin për zgjedhje ku thuhet se partive politike nuk u lejohet me pasë media.

“Neni e ka cek kujt nuk i lejohet me hap media. Kjo çështje është e rregulluar edhe me Ligjin për zgjedhje, ku edhe menaxhimi i financave publike e sqaron këtë çështje. Gjatë çdo versioni që është punu ky ligj kemi thënë të jetë në përputhje me ligjet vendore por edhe të BE-së. Në Ligjin për zgjedhje çartë thuhet se partive politike nuk u lejohet me pasë media”- tha ai.

Komisioni parlamentar tutje ka shqyrtuar nenin 17-të të projektligjit të KPM-së i cili flet për shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës  për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përmes një postimi në Facebook, OSBE ka deklaruar se e mbështet qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale.

“Megjithatë, siç thekson raporti i KiE-së, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai të mos e minojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”- është thënë nga OSBE.

Më 26.04.2024, Komisioni për Media ka nisur shqyrtimin në lexim të dytë të projektligjit për KPM-në.

Ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin në këtë mbledhje kishte kritikuar punën e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës në lidhje me punën në Projektligjit të shumë-diskutuar për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Nuk ju interesojnë standardet e KiE-së, kjo vërtet nuk po ka ndikim”- kishte thënë ajo mes tjerash.

Ekspertja kishte theksuar se komentet e saj nuk ishin marrë parasysh.

“Komentet e mia kanë të bëjnë me një varg çështjesh sa i përket përkufizimeve, mirëpo s’po hy në detaje. Po më duket që jam duke ‘goditur murin me kokë’ sa herë që po bëj komente. I dëgjuat propozimet e mia dhe ka nevojë me i kualifikuar ato sepse do të vjen dikush pas jush që do të shpërdorojë me këtë. Shumica e këtij ligji ka qenë shumë afër për t’u harmonizuar me direktivën, por janë disa dyshime të vogla që më është kërkuar t’i analizoj. Me rekomandimet e KiE dhe BE-së që po i fusin në direktivat e veta, jeni shumë afër ta keni atë si ligj të përkryer. Është kthim mbrapa të fshihet edhe neni për pronësinë e mediave nga politikanët dhe kjo ka qenë e habitshme, duhet të ketë një arsyetim mbrapa saj”- kishte thënë ajo më 26.04.2024.

OSBE për Projektligjin për KPM-në: Komisioni për Media të jap kohën e nevojshme për shqyrtim të duhur