Koloneli i FSK-së flet ekskluzivisht për sulmin e Rusisë në Ukrainë

Sefer Isufi, kolonel në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka folur ekskluzivisht në emisionin “Kallxo Përnime” për sulmin e Rusisë në Ukrainë.

Isufi tha se një ngjarje e tillë nuk ka qenë befasi duke e parë planin strategjik të Rusisë të cilin e ka përditësuar në vitin 2021.

Kolonel Isufi tha se ndër pikat kryesore të përditësuara të këtij plani strategjik rus ka qenë mosbashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo ngjarje nuk do të ishte befasi nëse e bëjmë një analizë të situatës së sigurisë së Rusisë e cila është strategji e përditësuar në vitin 2021. Po që se e krahasojmë këto dy strategji atë të viti 2014 dhe atë të vitit 2021, shohim se Putin ka avancuar në aspektet kryesore dhe objektivave strategjike me theks të veçantë kur nga pika për ruajtjen e bashkëpunimit me ShBA-në në përditësimin e planit nuk figuron një gjë e tillë. Një ndër pikat tjera kyçe e këtij plani të përditësuar është shpëtimi i kombit rus”, tha ai.

Ndërsa i pyetur se sa është e gatshme Kosova për luftë ai tha se shteti nuk ka asnjë arsye që të ndihet inferior krah shteteve tjera.

“Republika e Kosovës, si shtet me të gjitha komponentët shtetërore me të gjitha institucionet e saj shtetërore nuk ka nevojë të ndjehet inferiore, përfaqëson demokracinë perëndimore dhe në aleancë me ShBA-në. I ka vendosur të gjitha kapacitetet e saj në kuadër të ShBA-së”, tha ai.