
KMSHC e kthen në punë Nexhat Fazliun, i cili ishte pezulluar nga Inspektorati i Punës me arsyetimin se ishte nën hetime
Nexhat Fazliu, i cili ishte pezulluar nga puna si koordinator rajonal në Mitrovicë i Inspektoratit Qendror të Punës, me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHC) është kthyer në vendin e tij të punës.
Fazliu ishte pezulluar nga puna në Inspektoratin e Punës, pasi sipas të parit të këtij institucioni, Hekuran Nikçi, kishin pranuar një e-mail nga Prokuroria në të cilin thuhej se Fazliu është nën hetime nga Prokuroria.
KALLXO.com më 18.11.2024 kishte kërkuar informacione nga Prokuroria e Mitrovicës për të konfirmuar nësë ndaj Nexhat Fazliut ka aktvendim për fillim të hetimeve.
“Referuar pyetjeve tuaja, njoftoheni se për personin N.F, në një (1) rast ka aktvendim mbi fillimin e hetimeve për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme te falsifikimit te dokumenteve”. Ndërsa një (1) rast tjetër është në proces, për veprën penale “Marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare”- ishte përgjigjur Prokuroria e Mitrovicës më 11.22.2024
Këtë vendim e ka marrë KPMSHC më 29.01.2025, duke e anuluar vendimin e Inspektoratit Qendror të Punës që e kishte pezulluar nga puna Nexhat Fazliun.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e datës 21.11.2024, e parashtruar nga ankuesi Nexhat Fazliu. Shfuqizohet Vendimi për pezullim nga marrëdhënia e punës i datës 13.11.2024. Obligohet Udhëheqësi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin e Punës të zbatojë Vendimin brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të tij – duke e kthyer ankuesin në vendin e punës.” – thuhet në Vendimin e KPMSHC-së.
KPMSHC ka konstatuar se pasi kishte pranuar ankesën nga Fazliu i ishte drejtuar institucionit të Inspektoratit të Punës – duke i kërkuar përgjigje në ankesë.
Inspektorati i Punës e kishte dërguar përgjigjen më 17.12.2024, dhe KPMSHC kishte konstatuar se kanë munguar prova kyçe në vendimin për pezullimin e Fazliut.
KPMSHC më 14.01.2025 i ishte drejtuar me e-mail Inspektoratit të Punës, për t’i kërkuar provat që mungojnë mbi bazën e të cilave ishte nxjerrë vendimi për pezullim.
Pra, kolegji i KPMSHC-së pas pranimit të përgjigjes nga Inspektorati i Punës ka konstatuar, se bazuar në shkresat e lëndës që ishin dërguar nga organi që kishte marrë vendimin për pezullim kishin munguar provat kyçe për nxjerrjen e një vendimi të tillë.
KALLXO.com i ka shkruar Nexhat Fazliut më 30.01.2025 për të marrë një koment lidhur me vendimin e fundit, që ai të kthehet në vendin e tij të punës dhe në pozitën që mbante para se Inspektorati Qendror i Punës të merrte vendimin për pezullim. Fazliu nuk ka komentuar vendimin e fundit për këtë rast.
Për KALLXO.com, Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, më 15.11.2024 kishte thënë se lidhur me punën e Fazliut kishte pranuar me dhjetëra ankesa, por që Fazliu këto pretendime të Kryeinspektorit i kishte quajtur të fabrikuara. Madje, njëra prej procedurave disiplinore që ishte hapur ndaj tij, sipas të pezulluarit ka pasur të bëjë pikërisht me këtë çështje, por që ka përfunduar në favor të tij.
Në anën tjetër, KALLXO.com kishte intervistuar edhe kryeinspektorin Hekuran Nikçi lidhur me pretendimet që i kishte i pezulluari nga puna.
Fazliu ishte pezulluar nga puna me vendimin e datës 13.11.2024 dhe paga do t’i kompensohej me 50% të pagesës deri në përfundimin e periudhës së pezullimit.
Nikçi për KALLXO.com më 15.11.2024 kishte treguar pse është pezulluar nga puna Nexhat Fazliu.
“Inspektorati i Punës ka pranuar e-mail nga Prokuroria e Mitrovicës, e cila e potencon qartë që zyrtari në fjalë është duke u hetuar për vepra penale.” – kishte thënë Nikçi.
Nexhat Fazliu kishte thënë se ka pasur presion nga kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Sipas Fazliut presioni nga Nikçi ka ardhur për shkak të bashkëpunimit të tij (Nexhat Fazliut) me Prokurorinë – lidhur me rastin e Millan Radoiçiqit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë.
“Për presione se kam bashkëpunuar me Prokurorinë – lidhur me rastin e Radoiçiqit – që është hetu për prejardhjen e pasurisë dhe konfiskimin e pasurisë.” – kishte thënë Fazliu, për KALLXO.com.
Sipas tij aryseja për pezullim nga puna ishte për shkak të një e-mail-i, që ka ardhur nga Prokuroria gjoja se ai ishte i dyshuar se ka kryer vepra penale.
Fazliu ka thënë se pezullimi ka ndodhur pas një e-mail-i që Prokuroria ia kishte dërguar Kryeinspektorit se Fazliu është nën hetime, ndonëse sipas tij e-mail-i nuk ka ndonjë sqarim se për çfarë vepre, por vetëm thuhet se kanë nisur hetimet ndaj tij.
Fazliu kishte thënë se vendimi për pezullim nuk është nxjerrë nga udhëheqësi i menaxherit të personelit, por Kryeinspektori e kishte emëruar “një person paralel” me menaxherin e personelit, që të nxjerrë këtë vendim.
Akuza për presion, pse u pezullua nga puna zyrtari i Inspektoratit të Punës? – VIDEO
Shënim: Artikulli është edituar në titull si dhe në tekst, me ç’rast është plotësuar me përgjigjen e Kryeinspektorit të Punës si dhe me përgjigjen e Prokurorisë së Mitrovicës. Gjithashtu, është shtuar edhe pjesa që tregon se KALLXO.com ka kërkuar një koment nga i apostrofuari lidhur me vendimin e fundit. Koha e editimit: 30.01.2025, në ora 22:37.