Akuza për presion, pse u pezullua nga puna zyrtari i Inspektoratit të Punës? - VIDEO

Nexhat Fazliu, i cili është pezulluar nga puna si koordinator rajonal në Mitrovicë në Inspektoratin Qendror të Punës, ka thënë se ka pasur presion nga kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

Sipas Fazliut, presioni nga Nikçi ka ardhur për shkak të bashkëpunimit të tij me Prokurorinë lidhur me rastin e Millan Radoiçiqit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë.

“Për presione se kam bashkëpunuar me Prokurorinë lidhur me rastin e Radoiçiqit që është hetu për prejardhjen e pasurisë dhe konfiskimin e pasurisë”- ka thënë për KALLXO.com Fazliu.

Sipas tij, aryseja për pezullim nga puna është për shkak të një e-mail-i që ka ardhur nga Prokuroria gjoja se ai është i dyshuar se ka kryer vepra penale.

Fazliu ka thënë se ka jashtëzakonisht presion.

Sipas tij, ka presion që inspektorët të inspektojnë pa miratim, gjë të cilën ua ndalon Ligji për inspektim, që inspektorët të inspektojnë pa miratimin direkt të udhëheqësit direkt.

Fazliu tutje e specifikon se ka pranuar e-mail-e me përmbajtje kërcënuese nga Nikçi se do të marrë masa në procesin e vlerësimit në fund të vitit.

Sipas tij, pezullimi ka ndodhur pas një e-mail-i që Prokuroria ia ka dërguar kryeinspektorit se Fazliu është nën hetime, ndonëse, sipas tij, e-mail-i nuk ka ndonjë sqarim se për çfarë vepre por vetëm thuhet se kanë nisur hetimet ndaj tij.

Fazliu thotë se vendimi për pezullim nuk është nxjerrë nga udhëheqësi i menaxherit të personelit por kryeinspektori e ka emëruar “një person paralel” me menaxherin e personelit që të nxjerrë këtë vendim.

I pyetur nga KALLXO.com se sa raste i ka në Prokurori, Fazliu është përgjigjur që e ka pasur një rast të hapur por se i është mbyllur proceduralisht nga Prokuroria.

Tutje Fazliu tregoi se kryeinspektorin e kishte paraqitur dy herë para komisionit disiplinor por që dy herë kishte dalë i pastër.

“Krejt këto e vërtetojnë që Hekuran Nikçi ka një porosi nga grupet e interesit, gjë që unë dyshoj që mund të ketë nga grupet e Radoiçiqit”- tha Fazliu.

Për KALLXO.com, Hekuran Nikçi kishte thënë se lidhur me punën e Fazliut kishte pranuar me dhjetëra ankesa, por që Fazliu këto pretendime të kryeinspektorit i quajti të fabrikuara. Madje njëra prej procedurave disiplinore që ishte hapur ndaj tij, sipas të pezulluarit, ka pasur të bëjë pikërisht me këtë çështje por që ka përfunduar në favor të tij.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka intervistuar edhe kryeinspektorin, Hekuran Nikçi, lidhur me pretendimet që i ka i pezulluari nga puna.

Fazliu është pezulluar nga puna me vendimin e datës 13.11.2024 dhe paga do t’i kompensohet me 50% të pagesës deri në përfundimin e periudhës së pezullimit.

Nikçi për KALLXO.com më 15.11.2024 ka treguar pse është pezulluar Fazliu.

“Inspektorati i Punës ka pranuar e-mail nga Prokuroria e Mitrovicës, e cila e potencon qartë që ndaj zyrtarit në fjalë është duke u hetuar për vepra penale” – ka thënë Nikçi.

Këtë informacion nga Prokuroria, sipas Nikçit, e kanë pranuar më 22.10.2024.

Sipas Nikçit, e-mail-et që po qarkullojnë në portale po mundohen ta shtrembërojnë të vërtetën.

“E-mail-et të cilat po qarkullojnë në portale janë e-mail-et të komunikimit të brendshëm epror dhe vartës, edhe pse është tentuar që përmes këtyre e-mail-eve disa portale të deformojnë apo cenojnë autoritetin e Inspektoratit”- tha Nikçi.

“Në ato e-mail-e vetëm është kërkuar që të zbatohet rendi administrativ, pra çdo dokument që del nga institucioni duhet të dalë me njoftimin e të parit të institucionit dhe çdo dokument që futet në një institucion duhet me u futë me dijeni e të parit të institucionit, një gjë e tillë është provuar që të mos ndodhë në këtë rast”- tha tutje Nikçi.

Sipas Nikçit, ka pasur tendenca me dalë dhe me u futë dokumente pa njohuri të detajuar të tijën si person i cili është në krye të Inspektoratit Qendror të Punës.

“Vazhdimisht unë si i pari i këtij institucioni prej kur kam marrë pozitën pothuajse çdo muaj kam pranuar ankesa nga palët e treta të cilat kane potencuar se i njëjti është duke e keqpërdorur autorizimin e tij zyrtar”- tha Nikçi.