Kjo është mosha e 10 të vdekurve nga COVID-19

10 persona kanë vdekur në Kosovë në 24 orët e fundit nga COVID-19. Pesë nga viktimat janë të gjinisë mashkullore dhe pesë të gjinisë femërore.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se katër viktimat e COVID-19 kane qenë të moshës mbi 80 vjeç, një ka qenë i moshës 70-79 vjeç, katër të tjerë të moshave 60-69 dhe një rast ka qenë i moshës 50-59 vjeç.

Gjithashtu të dhënat e viktimave nga COVID-19 nëpër komuna janë këto, dy nga të vdekurit janë nga Fushë Kosova, dy janë shënuar në Gjilan, dhe nga një rast në komunat, Prizren, Malishevë, Gjakovë, Gllogoc, Pejë, Suharekë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri total i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 2 mijë e 889.

Vetëm në 24 orët e fundit sipas MSh-së, janë shënuar 173 raste pozitive me coronavirus.

Numri total i rasteve aktive tashmë ka arritur në 9 mijë e 764.

Gjithashtu sipas MSh-së, 591 persona janë hospitalizuar për trajtim pas infektimit me COVID-19. Nga kjo shifër 458 janë me oksigjeno terapi, 15 me ventilim dhe 34 me CPAP, kjo e fundit makineri e cila ndihmon pacientët për të marrë frymë në raste kur të njëjtit nuk arrijnë të kontrollojnë frymëmarrjen.

Të dhënat tutje tregojnë se në 24 orët e fundit janë dhënë 19.193 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.167.006 doza të vaksinës.

Deri më sot 439.723 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Sot janë shëruar 2.261 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 146.444.