Këto janë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë (DOKUMENT)

Qeveria e Kosovës sonte pritet të marrë vendim për të hequr të plotë tarifën prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës pritet që sonte të marrë vendim për t’i vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, por jo edhe ndaj Bosnjës e Hercegovinës.

KALLXO.com ka siguruar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Aty përmendet se Qeveria e Kosovës pritet të vendosë masa të reciprocitetit në të gjitha dokumentet që prekin çështjet tregtare, lëvizjet e lira të personave, njohjen e diplomave, targat e të tjera.

“Në atë kontekst, Kosova po shqyrton masat e reciprocitetit në fushat e mëposhtme: • Masa reciprociteti për të gjitha dokumentet dhe praktikat që prekin çështjet tregtare; • Masa reciprociteti për njohjen e të gjitha kualifikimeve profesionale (siç janë diplomat, certifikatat, licencat, lejet etj. të lëshuara nga autoritetet kosovare); • Masa reciprociteti për targat e automjeteve (autobusë, kamionë, vetura etj.); • Masa reciprociteti për lëvizjen e lirë të personave, përfshirë njohjen e dokumenteve të lëshuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina siç janë pasaportat, letërnjoftimet dhe patentë-shoferët”, thuhet në arsyetimin e Qeverisë në këtë propozim.

Këtu mund ta gjeni propozimin e Qeverisë për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.