Këshilltari i Pacollit komenton akuzat e Bedri Eminit

Lobuesi të cilin e mandatoi vetë Behgjet Pacolli, Bedri Emini, ka akuzuar kryediplomatin se nuk ia ka kryer disa borxhe pasi që ai i ka harxhuar për lobimet në disa prej vendeve të Afrikës dhe INTERPOL.

“Që tri vjet vrapoj me këtë punë, Pacolli më thojke veç shkoni, bëni, më ka thirr edhe për INTERPOL”, ka thënë Bedri Emini në Jeta në Kosovë.

“Më tha a ke mundësi me ua nxjerrë biletat këtyre të Afrikës, si të vjen këtu më tha t’i paguaj, i kam nxjerrë e kur jemi shku as parasysh nuk na ka marrë. Jetliri ecke herë teposhtë herë te naltë. Pacolli ka pasur tjetër marrëveshje me ata njerëz”, ka deklaruar ai tutje .

Por, këto pretendime të Eminit i ka mohuar Shefi i Kabinetit të Pacollit, Jetlir Zyrberaj.

“Pretendimet e tij nuk qëndrojnë, apsulitisht. I ka arsyet e veta, nuk e di unë”, ka thënë ai.

Zyrberaj thotë se Emini më nuk është lobist i Kosovës, për këtë ka edhe dokument.

“Kanë pushuar të gjitha autorizimet, jo vetëm për të por për të gjithë”, ka thënë ai.

Këshilltari i Behgjet Pacollit ka thënë se të gjithë zyrtarët që kanë ardhur në vitin 2018 për INTERPOL, janë takuar nga ministri i Punëve të Jashtme.

“Unë e di që i ka takuar z. Pacolli. Unë nuk kam njohuri për obligimet që përmend ai”, ka thënë ai.