Këshilli Gjyqësor vendos për ankesën ndaj gjyqtarit Faton Ajvazi

Raiffeisen Bank i ishte drejtuar me kërkesë Këshillit Gjyqësor që gjykatësit të Gjykatës së Ferizajit, Faton Ajvazi, t’i shqiptohej masë disiplinore.

Ankesa disiplinore e bërë dhe e pranuar nga Këshilli më 31 maj të këtij viti, është hudhur si e palejuar nga ky institucion i cili në mbledhjen e mbajtur në qershor vendosi se kjo ankesë duhet të drejtohet tek Avokati i Popullit.

Sipas dosjes së Këshillit, Raiffeisen Bank kishte bërë ankesë ndaj gjykatësit në fjalë fillimisht tek Autoriteti Kompetent/Kryetarit të Gjykatës së Ferizajit, ku ky i fundit kishte nxjerrë vendim disiplinor ku kishte refuzuar si të pabazuar ankesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjykatësit Ajvazi.

Ndaj këtij vendimi disiplinor refuzues të Autoritetit Kompetent, Raiffeisen Bank është ankuar në Këshillin Gjyqësor ku ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit duke e konsideruar si jo të drejtë dhe sipas bankës në fjalë ky vendim ka shfajësuar gjykatësin.

Në vendimin e Këshillit përshkruhet se “…. mirëpo nuk ia ka dhënë mundësinë ligjore (Ligji për Përgjegjësi Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve) personave fizik dhe juridik që të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Autoritetit Kompetent tek Këshilli kur Autoriteti Kompetent e ka refuzuar ankesën disiplinore, sepse për këtë veprim është i autorizuar vetëm Avokati i Popullit”.

Këshilli pas shqyrtimit dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore të vendimit të ankimuar, vlerësoi se aneksa ndaj vendimit është e palejuar, dhe kështu vendosi në mbledhjen e 310-të të mbajtur më 12 qershor të këtij viti.