FOTO: Facebook, Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban takimin e 273-të

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur takimin e 273-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit Albert Zogaj.

“Takimi filloi me miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të vendimit KGJK.nr.308/2021 në përbërje të Komisionit për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Këshilli njofton se ka marrë vendim për themelimin e grupit punues për korrigjimin dhe dizajnimin e ftesave postare.

“Në vazhdim të këtij takimi, u miratuan rekomandimet nga raporti i Kryetarit të Komisionit për Trajnime që kanë të bëjnë me ndjekjen e trajnimit nga ana e gjyqtarëve dhe punonjësve mbështetës”, u tha më tutje.

Ndër të tjera, Këshilli ka aprovuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për caktimin e mentorëve për gjyqtarë të rinj në Akademinë e Drejtësisë për Gjykatën Themelore në Prizren.

“Anëtarët e Këshillit aprovuan kërkesën për angazhimin dhe transferimin e përkohshëm të gjyqtarit Mentor Bajraktari nga Gjykata Themelore në Prishtinë në Gjykatën Themelore në  Gjakovë”, njofton Këshilli.

Këshilli ka vazhduar takimin me tri pika të mbyllura për themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor dhe shqyrtimin e dy ankesave ndaj vendimeve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve.