Kërkohet të anulohet konkursi për sekretar të UP-së

Po kërkohet të anulohet konkursi për pozitën e sekretarit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Siç mëson KALLXO.com anulimi i konkursit për pozitën e sekretarit është iniciuar nga rektori i UP-se, Naser Sahiti.

KALLXO.com ka raportuar më parë për konkursin e sekretarit të UP-së.

Konkursi për sekretar të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte pezulluar në fazën e intervistimit të kandidatëve.

Kjo ka ndodhur pasi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës kishte dhënë një përgjigje për Këshillin Drejtues se ky konkurs do të duhej të ishte i hapur dhe jo i brendshëm.

Faza e testit me shkrim të këtij konkursi kishte përfunduar dhe në garë për këtë pozitë ishin 6 kandidatë.

Më 21 qershor ishte caktuar data e intervistës me gojë për dy kandidatët që kanë kaluar këtë fazë, Esat Kelmendi dhe Besfort Krasniqi.

Konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së ishte marrë vendim që të shpallet i brendshëm më 31 mars të këtij viti dhe të shpallet i hapur për aplikim të kandidatëve nga data 4 maj deri më 18 maj.

KALLXO.com kishte raportuar për problematikat që ishin zhvilluar për pozitën e Sekretarit të UP-së. Fillimisht ishte duke u diskutuar vazhdimi i mandatit të ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së.