Pezullohet në fazën e intervistimit konkursi për Sekretar të UP-së

Komisioni vlerësues i Universitetit të Prishtinës për pozitën e Sekretarit të UP-së, ka vendosur që të pezullojë konkursin në fazën e intervistimit me gojë të kandidatëve.

Kjo ka ndodhur pasi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës kishte dhënë një përgjigje për Këshillin Drejtues se ky konkurs do të duhej të ishte i hapur dhe jo i brendshëm.

Sipas burimeve të KALLXO.com, kryetari i Komisionit Vlerësues, Islam Pepaj ka shkruar letër në drejtim të Universitetit të Prishtinës duke kërkuar që të njoftohen kandidatët për këtë vendim.

Faza e testit me shkrim të këtij konkursi kishte përfunduar dhe në garë për këtë pozitë ishin 6 kandidatë.

Më 21 qershor ishte caktuar data e intervistës me gojë për dy kandidatët që kanë kaluar këtë fazë, Esat Kelmendi dhe Besfort Krasniqi.

Dy ditë më parë, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e mbajtur nuk pati kuorum që ta anulojë konkursin për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së.

Më 8 qershor, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës i ishte drejtuar MPBA, nëse konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së, i hapur në maj të këtij viti, është i bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Për këtë, MPBA kishte kthyer përgjigje duke thënë se “paragrafi 1 neni 67 i Ligjit për Zyrtarët Publik përcakton se “Themelimi i marrëdhënies së punës për një nëpunës të Shërbimit Publik bëhet vetëm në bazë të një konkursi publik dhe të hapur, të organizuar sipas këtij ligji”.

“Andaj, në kuptim të kësaj dispozitë ligjore, konkursi për nëpunësit e shërbimeve publike që hynë edhe pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, është publik dhe i hapur”, thuhet në përgjigjen e siguruar nga KALLXO.com.

Konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së ishte marrë vendim që të shpallet i brendshëm më 31 mars të këtij viti dhe të shpallet i hapur për aplikim të kandidatëve nga data 4 maj deri më 18 maj.

KALLXO.com kishte raportuar për problematikat që ishin zhvilluar për pozitën e Sekretarit të UP-së. Fillimisht ishte duke u diskutuar vazhdimi i mandatit të ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së.

Por, dy interpretime të Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë çështje në drejtim të Këshillit Drejtues kishin krijuar konfuzitet dhe kishin bërë që Këshilli Drejtues të mos ia vazhdojë mandatin Kelmendit dhe të marrë vendim që të shpallet konkurs.

Por, më pas ishte shpallur konkurs i brendshëm brenda UP-së, duke u bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik, Ligjin e Punës dhe dispozita të tjera ligjore.

Pas mos vazhdimit të mandatit të Esat Kelmendit  si Sekretar i UP-së, ai ishte emëruar si drejtor i Zyrës Ligjore, ndërsa si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm u emërua Besfort Krasniqi, sekretar i Fakultetit Filologjik.

Të dy këta janë kandidatë në konkursin për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së që tashmë është duke u zhvilluar procedurë.

Nuk ka kuorum për anulimin e konkursit për Sekretar të Universitetit të Prishtinës