Agron Gashi, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë | Foto: Policia e Kosovës

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e rastit në Pejë - Çka thuhet në dosjen e prokurorisë?

Prokuroria e Pejës po kërkon caktimin e masës së paraburgimit për Agron Gashi, i cili dyshohet për vrasjen e rёndё nё tentativë e cila ndodhi më 22.05.2024 në Pejë, në të cilën mbetën të plagosur tre persona.

21-vjeçari ishte arrestuar në mesditën e datës 23.05.2024, nën dyshimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, kurse sipas dosjes për shkak të gjendjes së të dëmtuarit janë në rrezik për jetë kualifikimi ligjor ndaj tij mund të ndryshojë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, bashkë më Agron Gashin është e përfshirë edhe Liridona Gashi.

Ajo dyshohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe ndaj saj prokuroria ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

Sipas dosjes, i dyshuari e kishte telefonuar të dyshuarën dhe e njëjta e kishte dërguar të dyshuarin në fshatin Qyshk, por kishte deklaruar se nuk e ka ditur se çfarë kishte bërë i dyshuari, vetëm kishte menduar se ishte rrahur me dikë.

Agron Gashi i sipas dosjes së policisë është i dyshuar për 23 raste të ndryshme penale, kurse nga të dhënat e prokurorisë ka 10 aktakuza për vepra të ndryshme penale si dhe janë duke u zhvilluar hetime edhe për dy vepra tjera penale.

Sipas prokurorisë janë përmbushur kushtet e caktimit të paraburgimit të cilat janë rreziku nga arratisja; rreziku për të ndikuar në dëshmitarë dhe asgjësim të provave si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Për KALLXO.com kjo Prokurori kishte dhënë detaje mbi të kaluarën kriminale të këtij të dyshuari duke thënë se i njëjti ka pasur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik dhe ka një kallëzim penal për kansoje ndaj prokurorit Qavolli që ndërlidhet me rastin e rrezikimit të trafikut publik.

“Ka qenë i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, e ka shkelur një polic dhe ka ikur nga vendi ngjarjes. Ka qenë në arrati një kohë, është arrestuar, ka qenë në paraburgim. Njëkohësisht ky e ka edhe një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Ersan Qavolli. Në atë periudhë kur ka qenë për rrezikim të trafikut publik“ – kishte thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Përveç dyshimit për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë ndaj tij rëndojnë edhe dyshimet për armëmbajtje pa leje.

I njëjti kur është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka pranuar të flasë duke u mbrojtur në heshtje.

Kjo për KALLXO.com ishte konfirmuar nga prokurori Ersan Qavolli.

Lidhur me motivet e ngjarjes, nga prokuroria është vlerësuar se nuk mund të flasin në këtë fazë të hetimeve.