Kërkohet paraburgim ndaj shoferit të autobusit pas aksidentit me fatalitet në Podujevë
Kërkohet paraburgim ndaj shoferit të autobusit pas aksidentit me fatalitet në Podujevë
Prokurori i rastit të aksidentit me fatalitet ka paraqitur kërkesën për paraburgim pasi dyshohet se shoferi ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.
“Me 29.07.2022, prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktim te paraburgimit ndaj te pandehurit F.I., shofer i autobusit, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet).”, thuhet në deklaratën e Ulajt.
Lajmin për aksidentin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, kishte thënë ajo.
Ahmeti kishte thënë se si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe kanë vdekur.
Sipas Ahmetit, trupat e viktimave, një burrë 36 vjeç dhe një grua 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas Ahmetit, dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor.