Katër persona të lënduar nga një vetaksident në Bresje

Katër persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti në rrugën Prishtinë-Pejë, më saktësisht në fshatin Bresje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur për KALLXO.com se qarkullimi po vazhdon normalisht.

“Rreth orës 13:20, në rrugën Prishtinë –Pejë, në Bresje është shkaktuar një vetaksident trafiku, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe si pasojë lëndime kanë marrë katër persona. Njësiti për menaxhim dhe kontroll në autostradë është marrë me rastin dhe qarkullimi është zhvilluar normalisht” – ka thënë Hoxha më 06.04.2025.

Hoxha ka kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të jenë vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve, veçanërisht kur ka reshje.

“Posaqërisht kujdes i shtuar të aplikohet kur kemi reshje dhe lagështi nëpër rrugë, në mënyrë që të shmangen aksidentet rrugore që shpesh po rezultojnë me pasoja të rënda”- u shpreh Hoxha.

“Respektoni shenjat në rrugë, kushtet e rrugës,  përqendrohuni në vozitje dhe shmangeni përdorimin e telefonave celularë gjatë vozitjes”.

Sipas Policisë së Kosovës, nga janari deri në dhjetor 2024, nga 89 aksidente fatale, 26 kanë qenë vetaksidente apo 29.2%.