Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike” promovohet në Muzeun Kombëtar

Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardani Antike”, është prezantuar sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Dardania Antike” është punuar nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari. Dy arkeologët kanë pasqyruar thesarin e pasurisë së trashëgimisë arkeologjike të Kosovës.

Katalogu prezanton koleksionin e pasur arkeologjik të Kosovës, ku paraqiten artefakte nga periudha e parahistorisë, antikës, antikës së vonë dhe periudha mesjetare.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, deputetë, udhëheqës dhe zyrtarë të institucioneve vendore.

“Sot po promovojmë një pjesë tejet të rëndësishme të kësaj pasurie kulturore të shtetit tonë, megjithatë për fat të keq, ky thesar vazhdon të jetë i paplotë dhe ndonëse kanë kaluar 23 vite, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi”, citohet të ketë thënë Kurti, në njoftimin e Ministrisë.

Sipas Kurtit nuk është kjo e vetmja shkelje që është bërë nga ana e Serbisë.

“Në kohën kur po zhvillohej procesi për marrjen dhe transportimin e artefakteve nga Prishtina në Beograd, Serbia vazhdonte të shkatërronte pamëshirshëm monumentet tona dhe gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, ka shtuar Kurti.

Kurti para të pranishmëve ka thënë se do të kërkohet drejtësi nga ana e Serbisë, pasi që sipas tij Qeveria të cilët ai e drejton ka vullnet, dije e vizion për të mbrojtur dhe zhvilluar kulturën e vendit.

“Pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është zotimi ynë për mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e balancuar të kishave ortodokse, të cilat besojmë që duhet të jenë të hapura e të qasshme në mënyrë që të shfrytëzohet edhe potenciali turistik i tyre”, ka thënë ai.

Nga MKRS hapjen e kësaj ngjarje e bëri këshilltarja e ministrit, Nora Arapi, ndërsa i pranishëm ishte ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku.