Foto: Facebook/OlafScholz.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz sot viziton Kosovën

Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz sot do të vizitojë Kosovën.

Kancelari gjerman në ora 10:45 do të ketë takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Pas takimit, Kryeministri Kurti dhe Kancelari gjerman Scholz do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media”, njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Ndryshe tri janë temat në të cilat do të fokusohet kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij të premten e të shtunën në Kosovë, Serbi, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.

Kjo pasi RTKlive ka pyetur të enjten Qeverinë e Gjermanisë, se cilat do të jenë temat të cilat do të jenë në agjendën e kancelarit Scholz, gjatë vizitës së tij në rajon.

Në Kosovë, në agjendë është një vizitë në trupat gjermane të KFOR-it.

Ndryshe Kosova dhe Gjermania kanë bashkëpunim në të gjitha fushat.

Shumë biznese gjermane janë prezente në Kosovë.

Vitet e fundit është rritur bashkëpunimi dhe eksporti i prodhimeve Kosova për Gjermani.

Sipas Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, raportet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë duke u fuqizuar, nëse e krahasojmë vitin 2020 më vitin 2021, vërehet se ka një rritje prej 41 %.

Vizita e Scholz, disa segmente rrugore do të mbyllen përkohësisht

Policia e Kosovës njofton se me rastin e vizitës së kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

Në njoftim thuhet se policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë.

“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, njofton Policia e Kosovës./Rtklive