Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kalon marrëveshja finanaciare për IPA 2020 ndërmjet Kosovës dhe BE-së

Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi e arsyetoi këtë projektligj duke thëne se se kjo është marrëveshja e fundit për programet shtetërore të fondeve IPA 2.

“Është kjo marrëveshja e fundit për programet shtetërore të fondeve IPA 2 për periudhën 2014-2020 dhe pas kësaj, Qeveria do të punojë bashkë me BE-në që të finalizojë marrëveshjet e radhës në kuadër të IPA 3”, tha Bislimi.

“Fondet e kësaj marrëveshjeje, janë pjesë e një pakoje më të madhe përkrahjes financiare të BE-së për rimëkëmbjen ekonomike”, shtoi ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se pavarësisht dallimeve që kanë pozitë e opozitë, janë pro kësaj marrëveshje financiare ndërmjet Kosovës dhe BE.

“Përballja me COVID-19 e ka shkatërruar ekonominë e vendit dhe është inkurajues fakti që BE ka vendosur që një pjesë të madhe të këtyre fondeve, ta destinojë tek bizneset e vogla dhe për të forcuar punësimin në Kosovë”, u shpreh Deliu.

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Marigona Geci në lidhje me këtë marrëveshje, ka thënë se LDK e përkrah atë dhe se marrëveshja nuk është as e pozitës e as e opozitës, por është në të mirën e qytetarëve.

“Gjithçka që është në të mirën e qytetarëve duhet të mbështetet, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen financiare në mes të Kosovës dhe BE”, ka thënë Geci.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Grupi Parlamentar që i takon ai, e mbështet këtë marrëveshje.

“Kjo është një marrëveshje e rëndësishme financiare që prek jo vetëm aspektet që lidhen me ekonominë dhe investimet në situatën e vështirë post-COVID, mirëpo edhe në sektor të tjerë që u cekën edhe në raport me sundimin e ligjit”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës asnjë nga katër marrëveshjet ndërkombëtare që ishin paraparë të votoheshin në seancën e sotme plenare, nuk është arritur të miratohen.

Ditë dështimesh në Kuvend, s’kalon asnjë nga katër marrëveshjet ndërkombëtare