Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Ditë dështimesh në Kuvend, s'kalon asnjë nga katër marrëveshjet ndërkombëtare

Asnjë nga katër marrëveshjet ndërkombëtare që ishin paraparë të votoheshin në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, nuk është arritur të miratohen. Shkaku i njejtë për të gjitha: Nuk kishte kuorum të nevojshëm.

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së sotme i ka vazhduar punimet, ku në rend dite kishte disa marrëveshje ndërkombetare të cilat, që të gjitha, kanë dështuar të votohen.

Përkundër që kishte thirrje të ministrit të Financave Hekuran Murati, që këto katër marrëveshje të votohen, opozita janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në votim.

Fillimisht, ka dështuar votimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se mungon kuorumi, këtë pikë dhe “e shtyjmë për më vonë”.

Edhe shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), nuk kishte mbështje të opozitës për tu votuar.

“70 deputetë kanë marr pjesë në votim, nuk kemi kuorum për vendimmarrje. Këtë pikë e shtyjmë për më vonë”, kishte thënë Bogujevci.

Deputetët e opozitës në fjalimet hyrëse ishin shprehur se nuk do ta mbështesin këtë pikë.

Fatmire Kollqaku deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka ftuar deputetët ta përkrahin këtë propozim.

“Nuk ka arsye që ky projektligj mos të merr përkrahje”, shtoi ajo.

Bedri Hamza, deputet i PDK-së tha se po rrezikohet të futet në një situatë ku ngarkohen gjeneratat e reja me obligime pa sqarime.

“Po kërkojmë pak më shumë transparencë – detaje, llogaridhënie, përgjegjësi rreth ngarkimit të gjeneratave të reja”, tha Hamza.

Hmza tha se deri sa nuk ndërron kjo gjendje, grupi i PDK-së nuk i përkrah.

“Kemi të drejtë si opozitë të kërkojmë sqarime”, tha Hamza.

Besnik Tahiri kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar të diskutojnë se a është ky program në kornizat buxhetore, a është program që e lehtëson apo që i jep barrë më të madhe buxhetit të Kosovës.

Debat për këtë pikë kishte edhe mes deputetës Kollqaku nga LVV dhe deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu.

Kollqaku kishte thënë se deputeti i PDK-së shkaku i garës për kryetar komune nuk ka marr pjesë në komision për të kërkuar sqarime lidhur me këtë marrëveshje.

Kurse deputeti Haxhiu iu kundërpëërgjigj, se deputetja Kollqaku po frikësohet se Uran Ismaili, kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës do t’i mund në garë.

Fati i njëjtë e ka përcjellur edhe votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”.

As për këtë pikë Kuvendi i Kosovës nuk kishte kuorum që të votoj.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votoj për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjen kornizë të kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Ministri i Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati arsyetoi këtë projektligj.

Por, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se nuk ka kuorum për vendimarrje pasi janë vetëm 76 deputetë në sallë.

Për të arsyetuar nevojën e miratimit të kësaj marrëveshje, Murati tha se ajo do të mundësonte adresimin më efikas të krizës ekonomike dhe krizës së sistemit të shëndetit publik.

“Ashtu që ta sigurojmë shëndetin publik dhe të përkujdesemi pastaj edhe për ekonominë, pas pasojave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, ne si Ministri kemi arritur dakordim me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për këtë Marrveshje të amendametimit nr.1.”, tha Murati.

Ai tha se kjo marrëveshje mundëson që të rimburësohet buxheti i Kosovës edhe për shtesat e punëtorëve shëndetësor publik. Sipas tij marrëveshja nuk përmban tarifë zotimi.

Gjatë kësaj seance, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.