Jep dorëheqje u.d. i Kryeshefit të Telekomit, emërohet Burbuqe Hana

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij për arsye shëndetësore.

Kjo është konfimruar përmes një komunikate të lëshuar nga Telekomi i Kosovës.

“Zeqir Kiqina ushtrues i detyrës i Kryeshefit të Telekomit të Kosovës ia ka ofruar dorëheqjen Bordit të Drejtorëve nga kjo pozitë për arsye shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

“Z. Kiqina do të ketë gjatë kësaj jave një operim të rekomanduar nga mjeku dhe e ka qenë pamundur që të vazhdoj tutje me udhëheqjen e kompanisë dhe me qëllim që mos ketë asnjë ngecje në menaxhimin e saj ai ka kërkuar nga bordi që të lirohet nga kjo pozitë”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Bordi i Drejtorëve ka votuar në mënyrë unanime kërkesën e Kiqinës për dorëheqje.

Përveç, Kiqinës, dorëheqje ka dhënë edhe Ushtruesi i Detyrës së Zyrtarit Kryesor Financiar të Thesarit, Agim Matoshi.

“Po në këtë mbledhje është aprovuar edhe dorëheqja e u.d. e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit z.Agim Matoshi. Bordi po ashtu ka falënderuar z. Matoshi për kontributin e dhënë në menaxhimin e kompanisë në këtë kohë të vështirë pandemike”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Mirëpo as Kiqina e as Matoshi nuk do të qëndrojnë larg Telekomit, pasi që ata do të kthehen në pozitat që i kanë pasur më herët.

Bordi i Telekomit ka vendosur që ta emëroj Burbuqe Hana ushtruese të detyrës së Kryshefes së Telekomit si dhe z. Feim Kelmendin u.d. të Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit.