Javën që vjen pritet raporti për masat ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pritet që javën e ardhshme të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj. Këtë e ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Një raport të tillë nga shefi i diplomacisë së BE-së e kishin kërkuar vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat. Këto burime nuk dinë se çfarë saktësisht do të përmbajë raporti dhe nëse Borrell do të rekomandojë heqjen e masave.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat, dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

Ky raport ishte planifikuar të dorëzohej më herët, sepse vendet e BE-së kishin kërkuar që kjo të bëhet “sa më parë që të jetë e mundur”, por ishte shtyrë për shkak të veprimeve të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore postare të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.

Më 20 maj, autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që ka rezultuar me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si masë për vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, janë konfiskuar prova të ndryshme, përfshirë para.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burimet diplomatike se për shkak të zhvillimeve rreth mbylljes së objekteve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, është kërkuar që këto veprime të merren parasysh në raportin e Borrellit.

Këto veprime të autoriteteve të Kosovës ishin quajtur si “të njëanshme dhe të pakoordinuara me potencial që të nxisin tensione”.

“Masat ishin vendosur si pasojë e veprimeve të pakoordinuara dhe të njëanshme të Kosovës, që sollën deri te përshkallëzimi i situatës. Masat ishin vendosur me qëllim që të motivohen autoritetet e Kosovës për të ndërmarrë hapa për shtensionim. Natyrisht, gjithçka që ka ndikim negativ në terren, dhe në përpjekjet për shtensionim, është duke u marrë parasysh dhe është duke u përfshirë në raport“, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Kur ishte zhvilluar debati për masat ndaj Kosovës në Komitetin për politikë dhe siguri, ku janë diplomatët e vendeve anëtare, shumica kishin propozuar që ato masat të hiqen tërësisht ndërsa disa shtete që ato të hiqen gradualisht. Por, tash diplomatët presin të shohin se çfarë do të përfshihet në raportin e Borrellit në mënyrë që të shprehin pastaj qëndrimet e tyre.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

“Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.

Projektet në vazhdim e sipër të BE-së nuk janë të ndikuara e as financimi i shoqërisë civile në Kosovë apo programet tejkufitare”, ka sqaruar ky zëdhënës./REL