Jasharaj: Marshi i nxënësve, alarm për drejtoritë dhe Ministrinë e Arsimit

Nxënësit e shkollave të mesme kanë zhvilluar marshin “S’po shkohet n‘shkollë” të martën në qytete të ndryshme të Kosovës.

Të rinjtë kanë shfaqur ankesat që kanë të bëjnë me sistemin arsimor dhe problemet të cilat i hasin gjatë shkollim të tyre.

Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) marshin e nxënësve e ka quajtur alarm për drejtoritë e arsimit dhe Ministrinë e Arsimit.

“Çka kanë thënë nxënësit në protestë nuk bie ndesh me angazhimet tona, nëse ka mësimdhënës të cilët argumentohen me fakte të cilët kanë harruar misionin e tyre të shenjtë për edukimin e brezave dhe kanë tendenca për t’i ngacmuar në cilëndo mënyrë nxënësit, SBAShK-u ata njerëz nuk i mbron”, ka thënë Jasharaj.

Para marshit, Organizata Këshilli i Nxënësve të Kosovë (KNK) ka publikuar raportin “Cilësia në Arsim”, gjetjet e të cilit janë bazuar nga intervistimi i 1535 nxënësve të shkollave të mesme në nivel vendi.

Njëra nga gjetjet e këtij raporti thotë se “Rreth 28% e nxënësve u shprehën se në shkollën e tyre ka mësimdhënës që godasin nxënësit; rreth 35% që ngacmojnë seksualisht nxënësit, dhe rreth 55% që ngacmojnë (bullizojnë) nxënësit”.

“40% e nxënësve deklaruan se në shkollë shpeshherë ose gjithmonë ka nxënës që ngacmohen (bullizohen) nga nxënësit e tjerë”, thuhet në raport.

Në raportin e KNK-së thuhet se 42.6% e nxënësve kanë deklaruar se mësimdhënësit nuk i kushtojnë ose rrallëherë i kushtojnë rëndësi interaktivietit përmes diskutimeve.

“52.3% e nxënësve ishin të mendimit se mënyra e ligjërimit të lëndëve është shpesh ose gjithmonë e mërzitshme; 59.1% e nxënësve deklaruan se mësimdhënësit nuk përdorin ose rrallëherë përdorin video apo (47.9%) mjete konkretizuese për të ilustruar më mirë mësimin”, thuhet në raport.

Nxënësit (46.2% ) gjithashtu kanë theksuar se vlerësimi i tyre  shpesh apo gjithmonë bëhet duke u vlerësuar vetëm nga një burim (me gojë, me shkrim ose aktivitet) dhe jo kombinim burimesh.

VIDEO – Nxënësit marshojnë për cilësi, barazi e siguri në arsim