Foto: KALLXO.com

Iu gjetën mbi 1 mijë fishekë të pushkës së gjuetisë në pikë kufitare, nisin hetimet ndaj policit

Inspektoriati i Policisë së Kosovës (IPK), ka nisur hetimet ndaj një polici, të cilit i janë gjetur 1,074 fishekë të pushkës për gjueti, në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas njoftimit, sot pas mesnatës gjatë kontrollit në një veturë në pikën kufitare në Vërmicë të cilën ishte duke e vozitur një zyrtar policor jashtë detyrës zytare, Policia e Kosovës ka gjetur 1,074 fishekë të pushkës për gjueti.

Në lidhje me këtë, IPK-ja ka nisur hetimet nën dyshim për vepër penale.

“Pas njoftimit nga policia, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas konsultave me prokurorin kujdestar është hapur rasti me dyshimin se nga zyrtari policor është kryer vepra penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

KALLXO.com mëson se zyrtari në fjalë është I.D., i cili punon në Divizionin për Sigurimin e Objekteve në Policinë e Kosovës.

Rasti do të hetohet në procedurë të rregullt kurse nga IPK është dhënë rekomandimi për suspendimin e zyrtarit të përfshirë në këtë rast.