Dmitry Medvedev - REL

Ish presidenti rus Medvedev ka një parashikim të ri se si do të nisë Lufta e Tretë Botërore

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, të enjten paralajmëroi se veprimet e fundit nga Polonia mund të shkaktojnë që ky vend ta ketë një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe Bjellorusinë, gjë që mund të rezultojë në fillimin e Luftës së Tretë Botërore.

Medvedev, i cili gjithashtu shërbeu si president i Rusisë në vitet 2008-2012, i bëri komentet në një artikull që shkroi për gazetën ruse Rossiyskaya Gazeta.

Deklaratat nxitëse nuk janë të pazakonta për Medvedevin, i cili është shfaqur si një nga kritikët më të zëshëm të Kremlinit ndaj aleatëve të Ukrainës. Ai ka deklaruar publikisht në shumë raste se Rusia mund t’i sulmojë anëtarët e NATO-s për sigurimin e ndihmës së Ukrainës. Në dhjetor të vitit2022, ai shkoi aq larg sa i quajti aleatët perëndimorë të Ukrainës “objektiva legjitime ushtarake”. Kohët e fundit, ai tha në muajin shtator se Rusia është e përgatitur të përfshihet në konflikt të drejtpërdrejtë me vendet anëtare të NATO-s.

Sipas artikullit të Medvedev, Rossiyskaya Gazeta, ndihma e Polonisë për Ukrainën mund të shkaktojë që konflikti të përshkallëzohet në një luftë globale.

“Përforcimi ushtarak i Polonisë dhe prania ushtarake polake në Ukrainë mund të shkaktojnë një konfrontim të drejtpërdrejtë midis Varshavës dhe Bjellorusisë dhe Rusisë”, ka shkruar Medvedev. “Në këtë rast, grupi aleat do të japë një përgjigje të përshtatshme për t’i parandaluar kërcënimet që rrjedhin nga ambiciet e liga të establishmentit polak”.

Tutje, Medvedev shtoi se “Veprimet e pamatura të Polonisë, nëse mbështeten me nxitim nga aleatët e saj të NATO-s, mund të kenë pasoja të rrezikshme për të gjithë botën. Dhe atëherë Polonia do ta përmbushë rolin e ‘hienës së Europës’ që e nisi Luftën e Tretë Botërore”.

Newsweek ka kontaktuar Ministritë e Jashtme për Poloninë dhe Rusinë përmes emailit për koment.

Diku tjetër në artikull, Medvedev e akuzon Poloninë se ka një motiv të fshehtë për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, duke pretenduar se ky vend “përpiqet vetëm për një gjë – të sigurojë dominimin e tij total në rajon duke vendosur kontrollin mbi shtetet e vendosura midis Varshavës dhe Moskës”.

Ai ofroi gjithashtu një histori të shkurtër të marrëdhënieve ruso-polake përgjatë viteve përpara se t’i përçmonte më tej “ambiciet e liga” të liderëve në Varshavë, si dhe pretendimin që anëtarët e Bashkimit Europian ushqejnë një “urrejtje të fshehur keq” për Poloninë.

“Tani shtetet kryesore të BE-së i konsiderojnë autoritetet polake si fillestare dashakeqe, të cilët me egoizëm përdorin të gjitha institucionet e saj vetëm për qëllimet e tyre egoiste, pa kontribuar asgjë në thesarin europian”, shkroi zyrtari rus.

“Mund të supozohet se në fund të fundit kjo do të kontribuojë në destabilizimin e vetë strukturës së BE-së, deri në një përballje të plotë brenda familjes ‘miqësore’ evropiane dhe madje edhe në rënien e Bashkimit Europian për fajin e Polonisë.”/Newsweek

Përgatiti: Nuhi Shala