Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sipas ish-gjykatëses gjoba për puthje në publik e padrejtë

Puthja e një çifti në afërsi të një klubi të natës iu kushtoi as më pak e as më shumë se 900 euro.

Kjo pasi që policia u kishte shqiptuar gjobë nën arsyetimin se të njëjtit kishin shfaqur sjellje të pahijshme duke u puthur mes vete. Për këtë zyrtarët policor janë thirrur në dispozitat e nenit 6 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

E gjithë kjo ngjarje u bë temë debati në rrjete sociale ndërsa mendimet e qytetarëve dallonin nga njëri tjetri.

Ish-udhëheqësja e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje në Prishtinë dhe gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Biljana Rexhiq në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se puthja nuk konsiderohet shqetësim i qytetarëve nëse nuk ka pasur diçka më shumë ashtu siç theksohet në Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike më saktësisht në nenin 6 pika 2.

“Unë personalisht po mendoj se nuk është akt seksual një puthje por nuk e di rastin konkret por puthja si puthje nuk është akt seksual. Neni 6 ishte i qartë, kush kryen ndonjë akt seksual apo në mënyrë tjetër i shqetëson qytetarët por nuk e di nëse puthja është shqetësim për qytetarët”, thotë Rexhiq për KALLXO.com.

Tutje ajo tregon se Policia në këtë rast zyrtarët policor që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë shqiptuar gjobën, nuk kanë pasur një kompetencë të tillë.

“Unë e pash edhe Ligjin e Rendit dhe Qetësisë Publike dhe për atë nen dënimi është deri në 700 euro. Kompetenca e organit kundërvajtës siç është policia në këtë rast është 500 euro, këtu është defekti i parë, tash a është puthja akt seksual apo jo për mua nuk është. Unë po flas si Bilianë, puthja nuk është akt seksual a në fakt ai (polici) ndoshta është dashtë nëse ka mëndu ish dashtë me dërgu në gjykatë me vendos gjykata jo me shqiptu tiketë 450 euro kur është dënimi 700 euro pra nuk e ka pas qat kompetencë”, tregon tutje ish- gjyqtarja për kundërvajtje Rexhiq.

Sipas Rexhiq, kompetencat e policisë janë të shqiptojnë gjoba deri në 500 euro, nëse veprat tejkalojnë këtë shumë atëherë policia duhet që rastet t’i dërgojë për paraqitje në gjykatën përkatëse.

“Mendimi im është që policia nuk ka pasur të drejtë të shqiptojë gjobë për këtë çështje nëse ka mendu që pala ka kry ndonjë vepër kundërvajtëse është dashtë me dërgu në paraqitje në gjykatë sepse është dënim mbi 500 euro, ndërsa policia kanë të drejtë të shqiptojnë gjobë deri në 500 euro”, përfundon Rexhiq e cila përsërit sërish se një puthje ashtu siç është shënuar në arsyetimin e gjobës nuk konsiderohet akt seksual dhe prishje e rendit dhe qetësisë publike.

Një gjobë të tillë gjatë ditës së djeshme e kishte kundërshtuar edhe avokati i mërgimtarit që është gjobitur nga policia pse puthi të dashurën e tij.

Edis Kuraja avokati i qytetarit të dënuar në një deklaratë për KALLXO.com tregoi se në çfarë mënyrë thyhet ligji për rendin dhe qetësinë publike.

Sipas avokatit, me dispozitën e nenit 6 par.1 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike janë parashikuar tri forma të kryerjes së kësaj vepre kundërvajtëse: 1. Kushdo që kryen në vend publik ndonjë akt seksual, 2. Kur ekspozon ndonjë pjesë intime të trupit ose 3. Kur bën ndonjë sjellje të pahijshme seksuale që shkakton shqetësim për qytetarët.

“Pra, këto forma e përbëjnë figurën e kësaj vepre”, tha avokati.

“Puthja me bashkëshorten apo me të dashurën në vend publik nuk paraqet vepër kundërvajtëse. Ky s’ka ekspozuar ndonjë pjesë intime të trupit, ose sjellje të pahijshme seksuale. Pra vetëm e ka puthur të dashurën me pëlqimin e saj”, shtoi avokati.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar në lidhje me gjobën që kishte marrë një mërgimtar më datë 28 korrik pra, pesë ditë më parë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur rast për gjobën që kishin shqiptuar disa zyrtar policor ndaj një çifti të cilët kishin shkëmbyer puthje në afërsi të një klubi nate.

Gjoba në total kushton 900 euro, pasi sipas dokumenteve që ka siguruar KALLXO.com janë dënuar çifti me nga 450 euro secili.

Skandaloze: Prishtinë, policët e dënojnë qytetarin me 450 euro për puthje