Iniciohet rast për gjobën që iu dha çiftit nga zyrtarët policor për puthje

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur rast për gjobën që kishin shqiptuar disa zyrtar policor ndaj një çifti të cilët kishin shkëmbyer puthje në afërsi të një klubi nate.

Gjoba në total kushton 900 euro, pasi sipas dokumenteve që ka siguruar KALLXO.com janë dënuar çifti me nga 450 euro secili.

Gjoba iu shqiptua nën arsyetimin se të njëjtit në afërsi të një klubi nate ishin puthur mes vete ndërsa zyrtarët policor kanë konsideruar se kjo sjellje është e pahijshme dhe të njëjtëve ju është shqiptuar vërejtja disa herë.

Në lidhje me këtë gjobë KALLXO.com ka raportuar mbrëmjen e kaluar ndërsa avokati i palës së gjobitur në këtë rast e ka kundërshtuar dënimin me gjobë.

Për rastin tani më është hapur rast edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Këta të fundit në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se rasti është duke u trajtuar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se pas publikimit të këtij lajmi, IPK respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Ankesave ka iniciuar rast sipas detyrës zyrtare.  Rasti në fjalë është duke u trajtuar dhe analizuar nga ky Departament”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Ish- gjyqtarja e Departamentit të Kundërvajtjes, Biljana Rexhiq në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka kompetencë që të jap dënime të cilat prekin shumat deri në 700 euro.

Në këso rastesh si kjo që ka ndodhur ditë më parë, Rexhiq tha se policia do duhej rastin ta referoj për në gjykatë në mënyrë që kjo e fundit të vlerësoj nëse është thyer Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike ashtu siç i janë referuar zyrtarët policor.

Skandaloze: Prishtinë, policët e dënojnë qytetarin me 450 euro për puthje