Michael Cohen, avokati personal i presidentit amerikan, Donald Trump, Foto: REL/AP

Ish-avokati i Trump lirohet nga burgu shkaku i COVID-19

Ish-avokati i Presidentit Donald Trump, Michael Cohen, pritet të lirohet nga burgu të enjten për t’u vendosur në izolim shtëpiak për shkak të shqetësimeve ndaj COVID-19, raporton BBC.

Cohen, 53 vjeç, po vuan një dënim tre-vjeçar për shkak se gënjeu para Kongresit dhe mashtroi në financim të fushatës.

Lëshimi i tij i hershëm u raportua për herë të parë në prill, por u shty.

Nju Jork është epiqendra e pandemisë në Amerikë dhe burgu me siguri minimale, ku Cohen është duke qëndruar, ka pasur një numër rastesh të konfirmuara.

Sipas Byrosë Federale të Burgjeve, 2,265 të burgosur dhe 188 pjesëtarë stafi janë testuar pozitiv me Covid-19 në shkallë vendi. Ka pasur 58 vdekje të të burgosurve për shkak të virusit.

Në fillim të këtij muaji, një tjetër ish ndihmës i Trump, ish kryetari i fushatës Paul Manafort, u la i lirë nga burgu për të vuajtur pjesën e mbetur të mandatit të tij në shtëpi për shkak të frikës nga Covid-19.

Manafort, i cili ishte i dënuar për akuza komploti dhe mashtrimi, kishte vuajtur pak më shumë se një vit nga dënimi me 7 vjet e gjysmë.

Cohen – i cili do lirohej në Nëntor 2021 – pritej të qëndronte në karantinë për dy javë para lëshimit të hershëm.

Ish-ndërmjetësuesi, i cili dikur tha se do të merrte një plumb për zotin Trump, ishte anëtari i parë i rrethit të tij të brendshëm që u burgos gjatë një hetimi të drejtuar nga departamenti i drejtësisë për pretendimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Ai pranoi se gënjeu Kongresin për një projekt ‘Trump Tower’ në Moskë dhe rolin e tij për shkelje të financimit të fushatës në bërjen e pagesave të parave për gratë që pretendonin afera me z. Trump dhe akuza të tjera për mashtrim tatimor dhe bankar që nuk kanë lidhje me presidentin.