
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Hetimi i jurisë së madhe të Nju Jorkut për ish presidentin Trump i afrohet fundit
Policia e Nju Jorkut po përgatitet për demonstrata pasi ish presidenti Donald Trump më herët u kishte kërkuar mbështetësve të tij të protestonin për arrestimin e tij të mundshëm. Një aktakuzë ndaj Trump do të ishte çështja e parë penale kundër një ish-presidenti amerikan.
Një juri e madhe e Nju Jorkut që po e heton ish-presidentin e SHBA Donald Trump lidhur me disa pagesa të bëra për gratë që pretendojnë se kanë pasur kontakte seksuale me të, duket se po i dëgjonjnë nga dëshmitarët e fundit të hënën përpara një aktakuze të mundshme.
Është çështja e parë penale kundër ndonjë ish-presidenti amerikan.
Juria e ka dëgjuar një dëshmitar, avokatin Robert Costello, i cili dëshmoi se ish-aranzhuesi i Trump, Michael Cohen i ka bërë pagesat e lartcekura pa përfshirjen e vetë Trump.
“Michael Cohen vendosi vetë – kjo është ajo që na tha vetë, për të parë nëse ai mund të kujdeset për këtë”, u tha Costello gazetarëve pasi dëshmoi para jurisë së madhe me kërkesën e avokatit të Trump.
Dëshmia e Costello-s pritej t’i jepte në mënyrë indirekte ish-presidentit një shans për të argumentuar kundër përballjes me akuzat penale. Megjithatë, nuk ka indikacione të qarta se dëshmia e tij kishte ndryshuar rrjedhën e hetimit.
Cohen, i cili ka dëshmuar dy herë më parë, pretendon se Trump e udhëzoi atë t’i bënte pagesat.
Në vitin 2018, Cohen u deklarua fajtor për shkeljet e financimit të fushatës federale në lidhje me aranzhimin e pagesave për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, emri ligjor i së cilës është Stephanie Clifford, dhe modelen Karen McDougal në këmbim të heshtjes së tyre për aferat e tyre me ish presidentin Trump.
Trump i ka mohuar aferat dhe e ka quajtur Cohen një gënjeshtar.
Qyteti i New Yorkut përgatitet për protesta
Në përgatitje për protesta të mundshme, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ka filluar t’i heqë barrikadat portative metalike që mund të përdoren për t’i bllokuar rrugët ose trotuaret.
Trump shkoi në mediat sociale gjatë fundjavës duke e kritikuar hetimin dhe veçoi Prokurorin e Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg për kritika ndaj tij.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të protestojnë për arrestimin e tij të mundshëm pas komenteve të tij në të cilat ai deklaroi se priste të përballej me akuza penale.
Thirrja e ish-presidentit për protesta ka ngritur shqetësimin se mund të ketë një potencial për dhunë të ngjashme me ngjarjet e 6 janarit 2021, kur u sulmua Kapitol Hilli në SHBA.
Megjithatë, disa grupe bazë të ekstremit të djathtë thuhet se kanë zgjedhur të mos i përgjigjen thirrjes së Trump për protesta, thanë analistët e sigurisë.
Duke folur me gazetarët, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, deklaroi se policia po i monitoron nga afër mediat sociale dhe po vëzhgon për çdo “veprim të papërshtatshëm” në qytet.
Pavarësisht këtyre masave, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ka deklaruar se nuk ka kërcënime të besueshme të njohura për momentin.
Republikanët e kritikojnë hetimin si ‘të motivuar politikisht’
Kolegët republikanë të ish presidentit Trump e kanë kritikuar gjerësisht hetimin si të motivuar politikisht dhe kanë dalë në mbrojtje të tij.
Megjithatë, disa republikanë e kanë goditur Trumpin, siç është rasti me guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili pritet të kandidojë për president si kandidat i republikanëve për president të SHBA-së.
Trump po përballet gjithashtu me sfida të tjera ligjore, të cilat mund t’i kërkojnë atij të lëvizë midis ndalesave të fushatës dhe sallave të gjyqit përpara zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2024.
Trump aktualisht po përballet me hetime penale në Atlanta dhe Uashington, të cilat së bashku paraqesin një kërcënim të rëndësishëm ligjor dhe kanë potencialin për t’ia prishur garën presidenciale republikane, ku Trump shihet si një pretendent kryesor.
Për më tepër, avokatët e Trump i kanë kërkuar një gjykate të Gjeorgjisë që ta anulojë një raport special të jurisë së madhe që detajon hetimin e saj mbi përpjekjet e tij të supozuara për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Përveç kësaj, Trump po përballet me dy gjyqe civile që përfshijnë ish-kolumnistin e revistës E. Jean Carroll, i cili e ka akuzuar Trumpin për shpifje duke mohuar se e ka përdhunuar./Deutsche Welle
Përgatiti: Nuhi Shala