Isa Mustafa përkujton veprimtarin Smajl Hajdaraj në 18 vjetorin e vrasjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka përkujtuar veprimtarin Smajl Hajdaraj në 18 vjetorin e vrasjes së tij.

Sipas një njoftimi të LDK-së, Mustafa ka deklaruar se sot bëhen 18 vite nga momenti tronditës i vrasjes së njërës prej figurave më të rëndësishme të LDK-së, ish-deputetit të Parlamentit të Kosovës, Smajl Hajdaraj.

“Në 18 vjetorin e vrasjes, shprehim dhimbjen e thellë për humbjen e tij. Smajl Hajdaraj, komandati i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Rugovës, luftoi me vendosmëri dhe trimëri kundër pushtuesit serb. Ai gjatë gjithë jetës së tij, ishte i pathyeshëm si personalitet, aktivist i rrugës për liri dhe demokraci, dhe tregoi shembullin më të mirë të një njeriu që për brezat e ardhshëm do të mbetet model se si mbrohet dhe duhet atdheu”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, Smajli u vra pabesisht, para hyrjes së banesës së tij në Pejë, “siç duket rruga e drejtë dhe aktiviteti i tij prej atdhetari iu pengoi qarqeve anti-kombëtare duke ia ndalën në gjysmë rrugën e nisur për liri”.

LDK-ja thotë se në këtë përvjetor e përkujton më nder dhe krenari, Smajl Hajdarjn, dhe në të njëjtën kohë vazhdimisht kërkon nga organet e drejtësisë që të zbardhen të gjitha rastet e vrasjeve pas luftës të veprimtarëve të LDK-së, e po ashtu edhe rasti i Smajl Hajdarajt, dhe autorët e krimit të marrin dënimin e merituar.

“Lavdi jetës dhe veprës të Smajl Hajdaraj!”, është shprehur kreu i kësaj partie.