IOC reagon pasi Serbia ua pamundësoi boksierëve kosovarë të marrin pjesë në garën ndërkombëtare

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka reaguar pas ankesave të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Boksit të Kosovës lidhur me ndalimin që ua ka bërë Serbia boksierëve kosovarë që të marrin pjesë në garë ndërkombëtare.

IOC i ka dhënë vërejtje Serbisë, duke përmendur mundësinë që këtij vendi t’i pamundësohet organizimi i ngjarjeve të mëdha nëse vazhdon diskriminimi i sportistëve kosovarë.

Lajmi është bërë i ditur nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“E gjithë kjo vjen pas diskriminimit të boksierëve tanë në muajin tetor të këtij viti, të cilëve iu mohua hyrja në këtë shtet dhe pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit, të organizuar në Beograd”, thuhet në njoftim të KOK të publikuar në Facebook.

Po ashtu, në njoftim thuhet se që prej diskriminimit të boksierëve tanë nga Serbia, KOK dhe FBoxK, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me IOC dhe AIBA, nga të cilët ka kërkuar masa më rigoroze ndaj shtetit të Serbisë dhe njëkohësisht kompensim për humbjen që u shkaktoi politika boksierëve tanë me mospjesëmarrjen në botëror.