Interpelancat për Avdullah Hotin, Isa Mustafa i quan mësymje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar thirrjen në tri interpelanca të kryeministrit Avdullah Hoti, nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Mustafa në Facebook ka shkruar se tri interpelancat janë mësymje kundër kryeministrit Hoti.

Sipas Mustafës, dy prej interpelancave janë kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit  me SHBA-të.

“Sot, tri interpelanca njëpasnjë në Kuvendin e Kosovës. Tri mësymje kundër Kryeministrit Hoti. Dy, kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit  me SHBA-të dhe një, pse është shprehur se duhet të zbatohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për respektimin e Ligjit të miratuar me 2/3 e deputetëve, i cili ka krijuar detyrime ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Mustafa ka shtuar se ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin  me SHBA-të, sot janë me kryeministrin.

“Ata që ndajnë bindjen se  Kosova duhet tu përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme  të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti!”, thuhet në publikimin e tij.

Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për mbajtjen e dy seancave.

Në të parën do të shqyrtohen disa marrëveshje ndërkombëtare, kurse në seancën e dytë të thirrur për në orën 10:00, në rend të ditës janë tri interpelanca të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Interpelanca e parë është thirrur në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e dyta ka të bëjë me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik” dhe e treta është  në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kuvendi nesër mban dy seanca, Hoti i thirrur në tri interpelanca