Internet Freedom Meet në Shkup, sesioni përfundimtar i projektit “Reporting Digital Rights and Freedoms” (Raportimi për të Drejtat dhe Liritë Digjitale). Foto: BIRN

“Internet Freedom Meet” në Maqedoni: Zgjidhja e sfidave të internetit kërkon patjetër përfshirjen e të gjithë shoqërisë

Është e domosdoshme të edukohen qytetarët mbi ndarjen e të dhënave në internet, ku përhapet dhuna me bazë gjinore, dezinformimi dhe narrativa të tjera të dëmshme dhe paraqiten sfida në rritje nga aplikacionet si Telegrami apo nga përdorimi i inteligjencës artificiale, u tha gjatë konferencës së BIRN-it “Internet Freedom Meet” në Shkup, e cila mblodhi ekspertë të shumtë për të gjetur kundërpërgjigjet dhe zgjidhjet më të mira në lidhje me rreziqet dhe keqpërdorimet në botën online.

“Internet Freedom Meet” (IFM), i cili organizohet nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) me mbështetjen e Bashkimit Europian, këtë vit mblodhi ekspertë nga sfera të ndryshme të shoqërisë për të diskutuar sfidat e vazhdueshme dhe të reja në sferën online. David Geer, shef i Delegacionit të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, konsideron se zgjidhja e sfidave të internetit kërkon patjetër përfshirjen e të gjithë shoqërisë.

“Ato nuk janë sfida që duhet të trajtohen vetëm nga qeveritë por nga të gjithë ne dhe të gjitha adresat përkatëse të qeverisjes së internetit, nga sektori privat, qeveria, komuniteti akademik, kompanitë e teknologjisë, deri te shoqëria civile dhe mediat” – tha Geer.

Duke folur për rrënjët, pasojat dhe zgjidhjet e keqpërdorimit të të dhënave në internet, komisionerja e Kosovës për informim dhe privatësi Krenare Dërmaku tha se hapi i parë është t’u mësohen qytetarëve bazat e kërkimit në internet. Ajo këshillon që kurrë nuk duhet të pajtohemi t’u japim akses të gjitha “cookies”, sepse kjo nënkupton dhënien e aksesit në të gjitha informacionet tona, ndërsa në të njëjtën kohë përdoruesi zakonisht nuk e di se ku dhe te kush shkojnë këto të dhëna.

Gazetaret që në “Internet Freedom Meet” tërhoqën vëmendjen ndaj dhunës gjinore, e cila është e pranishme gjithandej online dhe më shpesh fokusohet në lirinë seksuale të grave, thanë se sot mijëra burra ndajnë përmbajtje intime të vajzave dhe grave pa lejen e tyre. Viktimat janë shpesh të moshës së mitur, që përbën arsye shtesë për përfshirjen e prokurorive. Kështu së fundmi, siç pohuan ato, disa udhëheqës grupesh në Telegram u arrestuan në një nga aksionet përkatëse.

Siç u tha gjatë IFM-së, Telegrami është një aplikacion tërheqës për ata që kanë për qëllim të shkelin ligjin, të marrin pjesë në krijimin e grupeve ekstremiste ose t’u bashkohen grupeve ekstremiste, ose janë pjesë e rrjeteve shumë të mëdha për përhapjen e dezinformimit.

Anonimiteti, mbrojtja e mesazheve të shkëmbyera dhe mungesa e bashkëpunimit të pronarëve të aplikacionit Telegram me prokuroritë lokale kontribuon në popullaritetin e aplikacionit, i cili si mjet mund të përdoret për qëllime të mira dhe jashtëzakonisht pozitivisht, por deri më tani ka shkaktuar shumë dëme për individët dhe shoqërinë në tërësi, përfunduan ekspertët në konferencën e BIRN-it.

Rregullimi i rreptë i përdorimit të inteligjencës artificiale (shkurt AI, nga gjuha angleze Artificial Intelligence), siç tha eksperti Arvin Kamberi, mbase nuk është zgjidhja më e mirë, por në planin afatgjatë, monopoli i dijes nga inteligjenca artificiale mund të shndërrohet në problem.

Nga ana tjetër, pjesëmarrësit në Shkup biseduan edhe për nevojën dhe arsyet e përdorimit të kamerave të vëzhgimit publik, gjë që duhet të rregullohen rreptësisht, si dhe për mënyrën se si përdoren të dhënat e kamerave.

Në fund, panelistët nga rajoni prekën problemin e zgjedhjeve dhe fushatave parazgjedhore, të cilat gjithnjë e më shumë po sfidohen nga dezinformimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale me qëllim të cenimit të integritetit të institucioneve apo kundërshtarëve politikë.

IMF përfundoi me prezantimin e projektit të BIRN-it “Reporting Digital Rights and Freedoms” (Raportimi për të Drejtat dhe Liritë Digjitale), me theks në mënyrat se si mund të realizohet bashkëpunimi me ekspertët dhe institucionet e pavarura.