Ia thyen tre brinjë viktimës pas goditjes me motoçikletë, i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes

Një person në Gjakovë, i cili ishte duke vozitur një biçiklet është goditur nga një motoçiklet që po drejtohej nga një person, ende i panjohur nga Policia.

Si pasoj e goditjes, viktima pas kontrollit mjekësor rezulton se ka tri brinjë me frakturë, ndërsa personi i dyshuar thuhet se është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e ditës së sotme, rreth orës 09:20.

“Deri te aksidenti dyshohet se kishte ardhur, derisa viktima kishte qenë duke lëvizur me biçikletë në rrugën ‘Gjergj Sokoli’ ne drejtim të lagjes ‘Dardania I”, mirëpo me të arritur afër qendrës tregtare ‘ETC’, sipas viktimës dyshohet se nga prapa e kishte goditur një motoçikletë ne rrotën e pasme e pas goditjes ishte përplasur për asfalti”, ka thënë Xhurkaj për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se motoçikleta fillimisht ishte ndalur në vendin e ngjarjes e më pas ishte larguar nga aty për në drejtim të panjohur.

Sipas Xhurkaj, viktima ka marr tretmanin mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës.