Foto: Agron Kryeziu, Facebook

I vetëm në grevë urie, infermieri e ndërpret pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore

Pas katër ditë grevë urie, infermieri Enlirat Duraku i ka dhënë fund grevës për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Ai e ka ndërprerë grevën rreth orës 15:00 sot më 29.02.2024.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Duraku tregoi se është duke marrë trajtim në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Jam duke marrë trajtim në Emergjencë. Kam plogështi, dhimbje të padurushme” – tha ai.

Më 15.02.2024 infermierë e punëtorë të tjerë të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës kanë protestuar duke kërkuar paga më dinjitoze, pagesën e punës gjatë fundjavave, gjatë festave e gjatë orëve shtesë,

Sipas tyre, këto pagesa për infermierët janë shumë herë më të ulëta sesa për mjekët.

Ata po ashtu kërkuan pagesën e rrezikshmërisë, pagesat e shtesave të nëpunësve shëndetësorë e shtesave të tregut dhe krijimin e Drejtorisë së infermierisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Foto: Enlirat Duraku, Facebook
Foto: Enlirat Duraku, Facebook

Megjithatë, Duraku thotë se kërkesat e njëjta do të përsëriten vetëm se forma do të ndryshojë.

Nënkryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Agron Krasniqi, tregoi se ai ka vizituar Durakun te Ministria e Shëndetësisë, ku ai po mbante grevën dhe ka parë përkeqësimin e gjendjes së tij.

“Gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë, hipertension i lartë, sheqeri i ka shku 30, dhimbje e mëlçisë dhe disa parametra jo të mira i pat. Unë e luta në emër të Sindikatës dhe të kolegëve që me e ndërpre grevën” – tha Krasniqi.

Pavarësisht rezistimit të tij, ai tha se ka thirrur emergjencën pa miratimin e tij dhe e ka bindur për të ndërprerë grevën.

“Me premtimet tona dhe të miat personale që do t’i ndjekim rrugët sindikale të ndryshme me protesta, me greva në punë brenda, duhet me ndërpre grevën, për hir të shëndetit” – shtoi ai.

Edhe pse 4 ditë grevë i mbajti para Ministrisë së Shëndetësisë, Duraku tha se nuk është vizituar apo kontaktuar nga askush prej kësaj Ministrie.

MSH nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet e KALLXO.com lidhur me grevën e Durakut dhe kërkesat e infermierëve.

Nënkryetari i Shoqatës, Agron Krasniqi, tregoi se kanë dërguar një kërkesë zyrtare të protokoluar në adresë të drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

“Jemi në pritje të thirrjes së një takimi me drejtorin. Ende nuk kemi marrë një përgjigje” – tha Krasniqi.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, në një përgjigje për KALLXO.com tha se janë të hapur për takime për çështjet që ndërlidhen me SHSKUK-së, e që janë në të mirë të përmirësimit dhe mirëqenies së punëtorëve.

“Aktualisht jam në vizitë disaditore jashtë vendit bashkë me Odën e Mjekëve dhe sapo të mbërrij në SHSKUK do të shqyrtoj të gjitha kërkesat” – shtoi Azizi.

Të hënën, më 04.03.2024, do të mblidhet këshilli drejtues i shoqatës, ku, siç tha Krasniqi, do të vendosin për hapat e mëtejmë për arritjen e synimeve.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur në thirrjet dhe mesazhet.