Foto: Ilustrim

I qitet ‘dryni’ tenderit për brava në Burgun e Sigurisë së Lartë

Tenderin për instalimin e bravave elektronike me vlerë të parashikuar mbi 17 mijë eurosh, për Burgun e Sigurisë së Lartë, e anuloi Shërbimi Korrektues i Kosovës. Mos plotësimi i kritereve nga kompania që kishte ofertuar, doli të jetë arsyeja e anulimit të këtij tenderi.

Me datën 8 mars, Shërbimi Korrektues i Kosovës publikoi thirrjen për kontratë, Instalimi i bravave- rrezeve të dorës në Burgun e Sigurisë së Lartë. Në përshkrimin e shkurtër të lëndës për këtë kontratë, SHKK-ja tregon për çfarë brava bëhet fjalë

“Instalimi i bravave rrezeve – elektronike në Burgun e Sigurisë së Lartë”, thuhet në njoftim.

Për këtë tender, Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte parashikuar vlerë të kontratës deri 17,092 euro.

ShKK, kishte përdorur procedurën e hapur të prokurimit me kriter të dhënies së kontratës çmimi më i ulët.

Në informatat shtesë që kishte ofruar autoriteti kontraktueses thuhej:

“Operatori Ekonomik ka të drejtë të dorëzoj tenderin, kërkesën për pjesëmarrje dhe dokumentet tjera të nevojshme apo dosjet të cilat u lejohet gjatë kryerjes së një aktiviteti të prokurimit në gjuhen shqipe dhe serbe. Autoriteti kontraktues e rezervon te drejtën që të bëjë verifikimin e të gjitha dokumentacioneve të ofruara nga OE“, thuhet në njoftim.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimi u anulua. Njoftimin për anulim, Shërbimi Korrektues i Kosovës e publikoi sot në platformën elektronike të prokurimit “e-prokurimi“.

“Nga njëra ofertë e dorëzuar, nuk i plotëson kërkesat sipas njoftimit për kontratë dhe dosje të tenderit“, thuhet në njoftimin për anulim.

Ndryshe, KALLXO.com raportoi sot se është iniciuar shkarkimi i drejtorit të Shërbimit Korrektues,  Nehat Thaçi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se ka kërkuar nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, që të shqyrtojë veprimet e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi duke kërkuar të vendosin për shkarkimin e tij, shkak i dhënies në shfrytëzim të një pronë në Vushtrri nga SHKK.

Iniciohet shkarkimi i Nehat Thaçit, drejtorit të Shërbimit Korrektues