Anulohet tenderi 1 milionësh për blerjen e trenit

“Trainkos” e ka anuluar tenderin me vlerë 1 milion euro për “Furnizim me tren motorik” sepse oferta e vetme tejkalonte vlerën e parashikuar për këtë aktivitet të prokurimit.

Operatori ekonomik “Proxor Trade ShPK” kishte bërë ofertën me vlerë 1,498,895 mil euro, rreth 500 mijë euro më shumë se sa vlera e parashikuar nga “Trainkos”.

“Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në mase substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në arsyen e anulimit të këtij tenderi.

Në arsyetimin tjetër për anulimin e këtij tenderi nga “Trainkos” ishte edhe se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Njoftimi për anulimin e tenderit për “Furnizim me tren motorik” nga ana e “Trainkos” është bërë më 28 qershor 2018.

Afati për pranimin e tenderëve ka qenë deri më 25 qershor. Gjatë kësaj periudhe “Trainkos” kishte pranuar vetëm një tender të përgjegjshëm.

Njoftimi për kontratë për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me tren motorik” ishte bërë më 16 maj. Vlera e parashikuar e kontratës nga “Trainkos” ka qenë 1 milion euro kurse kriteri për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët.