I propozuari për ministër nga AAK-ja, mori tenderë nga komuna e bashkëpartiakut

I propozuari për Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, nga koalicioni i sapo nënshkruar në mes të LDK-së dhe AAK-së ka fituar dy kontrata milionëshe gjatë vitit 2019 nga komuna të cilën e udhëheq bashkëpartiaku i tij, Bali Muharremaj si dhe nga Ministria e Kulturës e udhëhequr nga Kujtim Gashi i PDK-së.

Në shtator të vitit 2019, kompania “Hidroterm” që është pronë e Blerim Kuçit ka fituar kontratë për projektin për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro.

Kompania e nënkryetarit të AAK-së nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë për këtë tender. Kanë qenë të paktën edhe dy oferta më të lira. Oferta më e lirë e dorëzuar për këtë projekt ishte në vlerë prej 1,5 milionë euro, apo 200 mijë euro më e lirë se sa oferta e kompanisë së Blerim Kuqit. Ofertat më të lira ishin eliminuar nga gara nga Komuna e Suharekës.

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi për KALLXO.com kishte deklaruar se kompania që ka fituar tenderin Komuna e Suharekës është në pronësi të tij.

Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka pasur ndikim në dhënien e tenderit.

“Kompania është në pronësinë time e menaxhimin e kompanisë dhe bordin e ka tjetërkush. Kompania është 100 për qind e imja e menaxhimin e ka Blerta Kuçi. Nuk ka ndikuar partia, por unë i kam plotësuar të gjitha kriteret sepse ne jemi kompani serioze dhe kryejmë punë serioze, ju mund t’i pyetni edhe zyrtarët e prokurimit rreth procedurave”, ka deklaruar Kuçi.

Përvec tenderit bazë, Kuçi në fund të muajit mars kishte marrë edhe një tender për punë shtesë për projektin e njëjtë.

Tenderi i ri në vlerë prej 79,943 euro është për punë shtesë të një tenderi që e kishte fituar vitin e kaluar nga Komuna e Suharekës, për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi- Punë shtesë”. Kjo kontratë e punëve shtesë i bashkëngjitet kontratës bazë për këtë projekt e cila ka pasur vlerën  1 milionë e 740 mijë e 415 euro.

Gjithsej, ky projekt do t’i kushtojë komunës së Suharekës  1,820,358 euro.

Gjithashtu, kjo kompani ka fituar tender edhe nga Ministria e Kulturës në gusht të vitit 2019, në vlerë prej 1,589,424 Euro për ndërtimin e palestrës sportive në komunën e Dragashit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot bëri të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Sot u takuam me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe të nominuarin për kryeministër, Avdullah Hoti. Unë isha me të nominuarin tonë për zëvendëskryeministër, Besnik Tahiri. Pra sot është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje”, tha ai para gazetarëve.

Sipas marrëveshjes, AAK-ja pritet t’i ketë nën udhëheqje katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë.

“Zëvendëskryeministri i parë do të jetë z. Besnik Tahiri, pastaj, ministre e jashtme do të jetë zonja, Meliza Haradinaj- Stublla. Ajo nuk është e familjes sime, njëkohësisht për ministër të Drejtësisë do të jetë Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik do të jetë Blerim Kuçi dhe ministër i Arsimit do të jetë profesor,  Ramë Lika”, tha tutje Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, LDK-ja gjatë ditës së sotme pritet të nënshkruajë koalicion edhe me partitë e tjera. LDK-ja ka paralajmëruar se shumë shpejt do të thirret edhe seanca e Kuvendi ku pritet të votohet për qeverinë e re.

Qeveria tash në detyrë në krye me Albin Kurtin është rrëzuar nga një mocion i mosbesimit në Kuvendin e Kosovës me 25 mars.