I dyshuari për aksidentin me fatalitet në Pejë me disa vepra penale për narkotikë

Një këmbësor i moshës 41-vjeçare ka vdekur si pasojë e një aksident trafiku në rrugën “Bill Klinton” në Pejë në orët e para të ditës së sotme.

41-vjeçari u godit nga një veturë, vozitësi i së cilës më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës sot në mbrëmje shpalli në kërkim të dyshuarin Aaron Rexhaj, i lindur më 5 maj 1999, në Paderborn  të Gjermanisë, por me vendbanim në Pejë.

Rexhaj, sipas Prokurorisë së Pejës, ka edhe disa vepra të tjera penale për narkotikë.

“Ka disa vepra penale në të kaluarën, kryesisht për narkotik. Shitblerje dhe posedim i narkotikëve” – ka thënë për KALLXO.com Zyra për Informim e Prokurorisë së Pejës.

Policia në njoftimin fillestar ka thënë se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 00:50, kur kanë pranuar informatën se ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një veturë.

Sipas njoftimit, vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku kujdestar e trupi i viktimës  Sh.G. është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa në njoftimin e dytë, ku Rexhaj u shpall në kërkim, u tha se Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar me autorizim të Prokurorisë së Pejës me qëllim lokalizimin e tij, ka lëshuar edhe kërkesën për bashkëpunim me qytetarët.

Policia ka kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të kërkuar për shkaktim të aksidentit me fatalitet në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës janë 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327 që është numri i Drejtorisë Rajonale Pejë ose përmes e-mail adresës [email protected].

Aksidenti me fatalitet në Pejë, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarit