I akuzuari për kanosjen e gazetares së KALLXO.com shpallet fajtor nga Gjykata

Me një mijë euro gjobë është dënuar i akuzuari A. P., për kanosje ndaj gazetares së KALLXO.com Arjana Berisha, në gusht të 2022.

Gjyqtari Bujar Ahmeti ka lexuar aktgjykimin, duke thënë se pos kësaj gjobe ai është i obliguar t`i paguaj edhe shpenzimet e Gjykatës.

“I pandehuri A. P. është shpallur fajtor për veprën penale ‘kanosje’, sepse më datë 19.08.2022 me dashje, seriozisht kanos personin me fjaët se do t`i shkaktoj ndonjë të keqe e me qëllim të frikësimit të dëmtuaren Arjana Berisha. Në atë mënyrë që e dëmtuara, gazetare e medias Kallxo.com kishte pranuar një thirrje telefonike nga A. P., fillimisht fillon ta fyej rreth një videoincizimi, më pastaj vazhdon duke e kërcënuar se ‘ai person kush ta qet qet video ja q….robt në p…..e le ta qet, kaloni mirë’”- thuhet në vendimin e Gjykatës.

Tutje në vendim thuhet se me këto veprime ka kryer veprën penale ‘kanosje’, prandaj gjykata ka gjetur fajtor, A. P. sipas Kodit Penal të Kosovës.

“A. P., dënohet me gjobë prej 1 mijë eurove, shumë të cilën obligohet ta paguaj brenda 15 ditësh pasi të bëhet vvendimi i plotëfuçishëm. Nëse nuk e kryen këtë veprim, Gjykata obligohet që dënimin t’ia zëvendësoj me burgim, ku një ditë burgim do të llogaritën 20 euro të gjobës”- thuhet tutje në vendim.

E dëmtuara, gazetarja Arjana Berisha për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.

“I pandehuri gjithashtu obligohet që ti paguaj edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 eurove”- thuhet tutje në vendimin e Gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit, në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe më 19.08.2022, Kallxo.com kishte publikuar një video të një shoferi autobusi me udhëtarë i cili shihet duke përdorur telefonin gjatë vozitjes, i njëjti e kishte kërcënuar gazetaren Berisha.

VIDEO – KALLXO.com publikon videon e shoferit që përdor telefonin gjatë vozitjes, ai kërcënon gazetaren

 

Rastin e kërcënimit ndaj gazetares Arjana Berisha e pati dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK pati bërë thirrje që ndaj personit që kishte kërcënuar gazetaren Berisha të merreshin masa nga organet e rendit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimet ndaj gazetares Arjana Berisha, dhe fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme në lidhje me rastin”- thuhej në reagimin e AGK-së të datës 19.8.2022.

AGK dënon kërcënimin ndaj gazetares së KALLXO.com

 

I akuzuari për kanosje ndaj gazetares së KALLXO.com del para gjyqit