AGK dënon kërcënimin ndaj gazetares së KALLXO.com
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar në lidhje me publikimin e videos të KALLXO.com ku dëgjohet një shofer i autobusit, menjëherë pasi të njëjtit iu publikua video duke përdorur telefonin gjatë vozitjes, teksa kërcënon gazetaren, Arjana Berisha.
AGK ka thënë se dënon kërcënimet ndaj gazetares Berisha dhe ka ftuar organet kompetente që të marrin masat e nevojshme në lidhje me rastin.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimet ndaj gazetares Arjana Berisha, dhe fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme në lidhje me rastin”.
Më tej, AGK ka thënë se me shqetësim ka pranuar lajmin për kërcënimin ndaj gazetares.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për kërcënimin ndaj gazetares, Arjana Berisha të KALLXO.com. Berisha është kërcënuar nga shoferi i autobusit në kompaninë “Di Passio Tour” – menjëherë pasi të njëjtit iu publikua video duke përdorur telefonin gjatë vozitjes”- thuhet në reagim.
Shoferi i një autobusi me udhëtarë i cili shihet duke përdorur telefonin gjatë vozitjes ka kërcënuar gazetaren e KALLXO.com.
Pasi gazetarja Arjana Berisha ka kontaktuar kompaninë “Di Passio Tour”, pak kohë më pas shoferi ka telefonuar gazetaren dhe e ka kërcënuar.
Shoferi ka thënë se në atë momente ka qenë duke komunikuar me bashkëshortin e një prej udhëtarëve.
Personi në fjalë gjatë bisedës përdor të shara për personat në fjalë dhe gazetaren.
“Burri i qasaj më ka shkru në sa ora mbërrin në filan vendin mesazh, e këto montazhet çka i boni ja u q* granimin në p*** unë. Se burri i qasaj k***** (nuk kuptohet)… edhe ka fol me mua…”, ka thënë shoferi.
Pavarësisht kërkesës së gazetares që i njëjti të nalojë sharat, shoferi vazhdon dhe e kërcënon duke kërkuar që video mos të publikohet.