Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hykmete Bajrami: Kosova nuk zhbëhet me kërcënime as me ligje në mes të natës

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka kundërshtuar thirrjen për seancë të jashtëzakonshme, siç thotë ajo natën.

“Kosova nuk zhbëhet me kërcënime as me ligje në mes te natës. Nuk përulet me pandershmërinë dhe mungesën e kapaciteteve të atyre që sot nuk kanë guxim ta drejtojnë”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, ky është fillimi i sfidimit të shtetit.

Postimi i plotë i Bajramit, pa ndërhyrje nga ne:

Mënyra e futjes në rend dite (natën) e Ligjit që ka më shumë se një dekadë që duam ta ndryshojmë, është përpjekje për destablitet politik dhe gërryerje e rendit demokratik në vend.

Fshehja prapa diasporës së Kosovës dhe thirrja në emër të saj për ndryshimet ligjore në vend, janë karakteristika të cinizmit politik dhe mosgatishmërisë për te udhëhequr me shtetin në një kohë përplot sfida.

Diaspora nuk është monedhë për kusuritje e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit dhe as mjet për arritjen e qëllimeve politike. Zgjidhja për diasporën nuk bëhet duke kërcënu skenën politike dhe as duke i shantazhu një pjesë të opozitës që ka dëshmuar vullnetin për të ndërtuar shtetin.

Kosova nuk zhbëhet me kërcënime as me ligje në mes te natës. Nuk përulet me pandershmërinë dhe mungesën e kapaciteteve të atyre që sot nuk kanë guxim ta drejtojnë.

Ky është fillimi i sfidimit të shtetit. Por jo i rrënimit të tij.