Hoxhaj për Poklek e Çikatovë: Kjo sakrificë na e përkujton sa shtrenjtë i ka kushtuar liria Kosovës

Gjatë ditës së sotme është përkujtuar 22 vjetori i masakrave të ndodhura në Poklekut e Çikatovës së Vjetër të Drenicës.

Për të përkujtuar këto masakra, U.D. kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga Grupi Parlamentar dhe anëtarët e kryesisë së PDK-së, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetari i PDK-së në Drenas Sejdi Hoxha, kanë bërë homazhe në këto dy fshatra.

Vizitat nga delegacioni i PDK-së janë bërë për të nderuar viktimat e gjenocidit serb në këto fshatra, të cilët u vranë mizorisht 22 vite më parë.

“Me dhembje të madhe i kujtojmë 54 anëtarët e familjeve Muqolli e Elshani, që u masakruan dhe u dogjën nga dora e armikut dhe 24 civilë të tjerë të rënë në Çikatovë në 17 prillin e vitit 1999”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Sipas tyre, këto masakra, kjo sakrificë na e përkujton se sa shtrenjtë i ka kushtuar liria Kosovës.

“Lavdi e përjetshme”, thuhet në njoftim.