Hoxha: Derisa Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë, rreziku mbetet aktiv

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është deklaruar në lidhje me lëvizjet e pjesëtarëve të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta në funksion edhe të ngritura në nivelin më të lartë të gatishmërisë me qëllim që çdo sulmi dhe çdo tentative për destabilizim të vendit t’i dalë ballë dhe ta kryejë detyrën me sukses.

Por, sipas tij, derisa Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë, rreziku është ende aktiv.

“Ka pasur lëvizje të forcave serbe në kufirin e Republikës së Kosovës. Ne i kemi vërejtur, i kemi monitoruar dhe kemi kapacitete që t’i monitorojmë. Faktikisht ne bashkëpunojmë me KFOR-in dhe EULEX-in dhe kemi patrullime të përbashkëta. KFOR-i ka shtuar prezencën e vet me ushtarë atje, e edhe me teknikë. Kështu që duhet të shpresojmë që të mos kemi telashe serioze. Sidoqoftë, derisa Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist vazhdon të jetë i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është akoma aktiv”- thotë Hoxha.

Më 21.03.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot gjatë ditës njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Ai ka publikuar një video ku shihen disa persona në uniformë.

Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

 

Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet e 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit, ku grupi i tij i armatosur kishte vrarë Afrim Bunjakun, oficerin e Policisë së Kosovës. Në kundërpërgjigjen e Policisë ishin vrarë edhe tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.

Kosova ka lëshuar fletarrestim ndaj tij por Radoiçiq shëtit i lirë nëpër Serbi.