Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Foto: KALLXO.com

Hovenier: Kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nuk ka pranuar të përgjigjet për gazetarët kur ata tentuan ta pyesin për zhvillimet e fundit në vend.

Hovenier deklaroi se ka shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme.

“Jo, kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme” – është përgjigjur shkurt Hovenier.

Në anën tjetër, në fjalimin e tij në hapjen e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcënimet në sigurinë kibernetike, ambasadori Hovenier tha se qëllimi i tyre është të përkrahin këto konferenca.

“Qëllimi i Ambasadës amerikane dhe qeverisë së saj është të përkrah këto konferenca, që ndihmojnë për të krijuar një ambient dhe hapësirë ku ju mund të flisni me njëri-tjetrin, ndani ide dhe të zhvilloni zgjidhje inovative të sfidave që lidhen me sigurinë kibernetike”- ka deklaruar Hovenier.

Më 30 janar, Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka organizuar një prezantim dhe diskutim me rezultatin në draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në Republikën e Kosovës në të cilin serbët janë shumicë”, hartuar në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).

Në anën tjetër, javën e kaluar pesë emisarë ndërkombëtarë nga SHBA-të dhe BE-ja kanë qëndruar javën e kaluar për vizitë në Kosovë.

Pas takimit, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak kishte thënë se me Kurtin kishte diskutuar për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak tutje ka thënë se shpreson që të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi.

“Megjithatë në këtë pikë ne kemi pritur mirëkuptim më të mirë në lidhje me atë se çka ofron propozimi. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”- ka thënë ai.

Lajçak ka mbërritur të dje në Kosovë dhe ka zhvilluar një takim me kryeministrin Kurti dhe me zv.kryeministrin Bislimi.

Lajçak përmes një postimi në Twitter, deklaroi se me Kurtin dhe me Bislimin kanë diskutuar për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Emisari i BE-së ka theksuar se janë dakorduar që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.