Hoti: Vetëm përmes dialogut me njohje reciproke zgjidhim çështjet e pazgjidhura me Serbinë

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ndonëse ka anuluar takimin në Shtëpinë  e Bardhë pas ngritjes së aktakuzës për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli ka thënë që vetëm më dialog mund të zgjidhen çështjet me Serbinë.

Hoti përmes një postimi në Twitter ka theksuar se qeveria nuk i komenton aktakuzën e djeshme.

“Vetëm përmes dialogut që qon në njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, ne mund t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me Serbinë. Qeveria ime nuk i komenton çështje që lidhen me Dhomat e Specializuara. Kosova do të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.

Dje Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Si presidenti Thaçi ashtu edhe kryeministri Avdullah Hoti kanë anuluar pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ku pritej të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi.

Hoti anulon takimin në ShBA pas aktakuzës për Thaçin