Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Dosja e Speciales: Pjesëtarë të UÇK-së urinuan mbi të burgosurit

Gjykata Speciale sonte ka publikuar aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i UÇK-së.

Sipas kësaj aktakuze, afërsisht midis 1 deri 19 prill 1999, Salih Mustafa dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me  pseudonimet ‘Tabuti’ ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, në mënyrë të përsëritur keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, djegies dhe goditjes me rrymë elektrike, po ashtu edhe psikologjikisht.

“Ndër të tjera përmes kërcënimit me vdekje dhe kërcënimit për lëndim të rëndë fizik, frikësimit, poshtërimit, diskriminimit për arsye politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar ose nën shtrëngim. Të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht në prani të të ndaluarve të tjerë”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, aty thuhet se mbi disa prej tyre u urinua në prani të të ndaluarve të tjerë.

“Të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht në prani të të ndaluarve të tjerë. Mbi disa prej tyre u urinua në prani të të ndaluarve të tjerë”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza thotë se në kompleksin e ndalimit në Zllash, të ndaluarit rriheshin pothuajse përditë.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa i njohur si ‘komandant Cali’, nuk mori asnjë masë për parandalimin ose kufizimin e dhunës, ose ndryshe për të ndihmuar ose për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve.

“Në fillim të prillit 1999, ose rreth kësaj kohe, Salih MUSTAFA, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së, morën në pyetje dhe rrahën (një person që në aktakuzë nuk identifikohet). Salih MUSTAFA e goditi me shuplakë, me grusht dhe e shkelmoi  dhe urdhëroi anëtarët e tjerë të pranishëm të UÇK-së që ta rrihnin me një shkop bejsbolli dhe me dorëzën e një sakice”, thuhet në pikën 24 të aktakuzës.

Salih Mustafa është arrestuar sot në Prishtinë, pasi iu konfirmua aktakuza, ndërsa pas arrestimit është dërguar në paraburgim në Hagë.

Aktakuzën mund ta gjeni KËTU.