Hoti: Tash po i ndjejmë pasojat e mungesës së bordit të Trustit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit, kjo pasi tij po ndodhë për shkak të mungesës së bordit të Trustit.

Sipas Hotit, në mungesë të bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie.

“Pasojat tanimë po i bartim. Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie” – ka shkruar deputeti i LDK-së në rrjetin social Facebook.

“Përveç kësaj, në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve nuk do të mund të investohen në tregje financiare. Mazhoranca që qeveris me vendin e ka refuzuar projektligjin për tërheqje të mjeteve nga Trusti. Si do të përgjigjet tani?! – ka shkruar ai.

Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30 nëntor 2022, por i cili është zgjatur edhe për tre muaj.

Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022.

Në anën tjetër, më 19 janar 2023, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në parim Projektligjin për Trustin, i cili parasheh tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional (Trusti).