Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Nuk miratohet tërheqja nga Trusti

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në parim Projektligjin për Trustin, i cili parasheh tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional (Trusti).

97 deputetë kanë marrë pjesë në votim, prej tyre 42 ishin për (tërheqjen e mjeteve nga Trusti), 55 kundër dhe asnjë abstenim.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu gjatë prezantimit të Projektligjit, në emër të propozuesve ka kërkuar të ndërtohet konsensus për miratimin e tij

“Sot është e rëndësishme që në emër të qytetarëve ne të gjithë, të votojmë këtë kërkesë të qytetarëve, mes dy leximeve ta pasurojmë këtë nismë legjislative. Në emër të qytetarëve nënshkrues po ju ftoj të ndërtojmë një konsensus për kërkesën e tyre”- deklaroi Haxhiu.

Deputetët e opozitës më pas kanë lëshuar seancën.

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, ka thënë se është pro tërheqjes deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti por duke propozuar disa mënyra se si mund të bëhet tërheqja.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka rekomanduar miratimin e Projektligjit për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

Ndërsa, dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës  i kanë dhënë mbështetje tërheqjes prej 30 për qind të Trustit.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht Projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të Trustit.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.