Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hoti për vizitën e Kurtit dhe Osmanit në veri: Disa kauza duhet lënë jashtë fushatës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se disa kauza partitë politike duhet t’i lënë jashtë fushatës zgjedhore.
Hoti këtë deklarate e bëri lidhur me vizitën e djeshme të u.d. presidentes Vjosa Osmanit dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në veri të Mitrovicës.
“Me disa kauza dhe çështje duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore, ai është territor i Kosovës pa asnjë dyshim dhe nuk kontestohet në asnjë formë. Secili ka të drejtë të lëvizë në katër anët e Kosovës, por nuk duhet të përdoret në asnjë moment për fushatë dhe për të treguar gjëra të cilat nuk qëndrojnë dhe nuk ekzistojnë”, tha Hoti në një prononcim për media pas vizitës qe bëri të shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe u. d. presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të shtunën qëndruan për një vizitë në veri të vendit.
Por, atje nuk janë mirëpritur nga serbët që jetojnë në këtë zonë.
Në një video që e ka siguruar KALLXO.com ata dëgjohen duke e sharë e fyer grupin ku ishte edhe Albin Kurti bashkë me u.d. presidenten Vjosa Osmani.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur poshtërim vizitën e Kurtit dhe Osmanit në veri të vendit.