Foto: ZKM

Hoti për Kurtin: Kush ka probleme me ligjin, s'mund të marrë post publik

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka deklaruar se gjithkush që ka probleme me ligjin nuk mund të kërkojë të marr post publik, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kjo deklaratë e Hotit vie pas vendimit të PZAP-it, që të mos i lejohet kandidimi për deputet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurtit, dhe kandidatëve të tjerë që kanë probleme me ligjin.

“Fokusi im dhe dëshira ime është që unë të ballafaqohem me të gjithë kandidatët për kryeministra që janë në këtë garë. Të gjithë ata. Një gjë është e qartë: Gjithkush që ka probleme me ligjin nuk mund të kërkojë të marr post publik dhe nuk mund të dalë para qytetarëve”, theksoi Hoti të mërkurën në Prishtinë.

Gjykata Supreme e Kosovës është dera e fundit në të cilën kryetari i LVsë, Albin Kurti mund të ‘trokas’ për të kërkuar të drejtën e tij për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

LV pritet që sot gjatë ditës t`i drejtohet Gjykatës Supreme për t`u ankuar ndaj vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) i cili dje la jashtë listës zgjedhore të LV-së, prijësin e kësaj liste, Albin Kurti dhe bashkëpartiakët e tij Albulena Haxhiun, Liburn Aliun, Labinotë Demi-Murtezin dhe Bajram Mavriqin.

PZAP dje ka certifikuar vetëm listën e kandidatëve të LV-së që nuk kanë probleme me ligjin, nuk janë të dënuar në 3 vitet e fundit me vendim përfundimtar.

Gjykata Supreme ‘dera e fundit’ për Albin Kurtin